Ditën e djeshme Lulzim Basha dha dorëheqjen pas 9 vitesh si kryetar i Partisë Demokratike. Lufta politike dhe përballja me Berishën shënoi fundin e tij politik duke u detyruar të dorëhiqet. 16 vite në Partinë Demokratike dhe me një karrierë e cila iu dhurua nga ish–kryeministri Sali Berisha, i cili e mori në qeverinë e tij të parë.
Lulzim Basha u thirr nga Berisha për të qenë pjesë e “KOP’ pasi vinte nga një eksperiencë nga Kosova ku kishte shërbyer pranë Gjykatës që hetonte krimet e luftës pas luftës së përgjakshme të vitit 1999-të. Basha ka patur një karrierë të suksesshme politike nga mbajtësi i dikastereve të disa ministrive, kryetar Bashkie dhe kreu i PD rreth 9 vite pas dorëheqjes së Sali Berishës.
Ngritja dhe rënia politike e Lulzim Bashës
2005-2007- Ministër i transporteve
Lulzim Basha, bëhet pjesë e qeverisë “Berisha 1” ku i besohet drejtimi i Ministrisë së Transporteve, post të cilin e mbajti deri në vitin 2007.
2007-2009- Ministër i Jashtëm
Shqipëria anëtarësohet në NATO dhe Liberalizimi i vizave
2009-2011- Ministër i Brendshëm
Pas zgjedhjeve të vitit 2009 në të cilat Lulzim Basha u zgjodh deputet i Elbasanit, ai u emërua si Ministër i Brendshëm në qeverinë e dytë“Berisha
2011- Gara me Edi Ramën dhe fitorja e Bashkisë së Tiranës
Lulzim Basha shënon fitoren më të madhe në karrierën e tij politike, pasi do të mundte në një garë direkte numrin 1 të Partisë Socialiste, Edi Ramën.
2013- Humbja e PD në zgjedhje, gara me Sokol Olldashin dhe dorëheqja e Berishës
Në garë për të zëvendësuar Sali Berishës ishin Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi. Demokratët në 13 Korrik të 2013-s zgjodhën si kreun e ri të partisë Lulzim Bashën me 80% të votave.
Betejat e humbura të Lulzim Bashës si kryetar i opozitës
2017- Marrëveshja me Edi Ramën dhe humbja e zgjedhjeve
Në këtë marrëveshje u vendos që të kishte një qeveri teknike deri në zgjedhje, ku opozita mori drejtimin. Kjo marrëveshje solli tkurrjen më të madhe të partisë demokratike gati një përgjysmim të votave.
2019- Djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet Lokale
Në 18 Shkurt të 2019-s “Opozita e Bashkuar”, ku PD, LSI dhe partitë e vogla ishin rreshtuar në një front marrin vendimin për djegien e mandateve, por që nuk çoi në realizimin e qëllimit që opozita kishte, për të bllokuar Kuvendin, pasi një pjesë e kandidatëve të rreshtuar në listat e opozitës pranuan marrjen e mandateve.
2021- Humbja e zgjedhjeve të 25 Prillit
25 Prill të 2021-t Edi Rama rizgjidhet për të 3-n herë si kryeministër i Shqipërisë, pasi PS arriti të marrë 74 mandate në Kuvend. Për Lulzm Bashën kjo ishte disfata që do të sillte më pas edhe rënien e tij.
2022- Zgjedhjet e 6 Marsit dhe dorëheqja e Bashës
Përplasja me Berishën shënoi fundin e tij politik
Lulzim Basha dhe Sali Berisha kishin krijuar idenë jo vetëm brenda demokratëve por edhe tek shqiptarët se ishin një binom i pandashëm, ku jo rrallëherë ish-lideri historik i demokratëve akuzohej se kishte emëruar pasardhësin e tij në 2013-n, pavarësisht votimit që ishte bërë.
9 shtator 2021- Lulzim Basha pezulloi nga të gjitha funksionet Sali Berishën, pas vendimit të dhënë nga DASH në 26 maj për shpalljen non-grata të Berishës dhe familjes së tij.
Ish-lideri demokrat nisi takimet me demokratët në bazë nën “Foltoren”, dhe arriti që në 11 Dhjetor të thërriste dhe Kuvendin Kombëtar, ku u mor vendimi për shkarkimin e Bashës.
Zgjedhjet e 6 marsit ishin dhe përballja finale këtë herë jo mes opozitës dhe mazhorancës, por mes PD-së zyrtare të Lulzim Bashës dhe ‘Shtëpisë së Lirisë’ të mbështetur nga Sali Berisha.
Në 6 mars të 2022, kandidatët e Lulzim Bashës pësuan disfatë të madhe në të 6 Bashkitë, ku përveç Rrogozhinës ku kandidati i PD u rendit i dyti në 5 të tjerat dolën forcë e tretë politike.
Lulzim Basha preku çdo karrige të lartë të pushtetit po dëshira e tij, për tu bërë kryeministër mbeti thjeshtë një ëndërr në sirtar./VOXNews.al