Denoncimi: Naftën nuk keni në dorë ta ulni, po gjobat a mund t’i frenoni?

24 March 2022, 18:38Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Denoncimi: Naftën nuk keni në dorë ta ulni, po gjobat a mund
Policia Rrugore duke vendosur gjoba

Tirana është ndër qytetet më të vështira për të gjetur një vend parkimi. Shtuar kësaj ditët e fundit, edhe nafta është shtrenjtuar shumë sa ditën e sotme një litër shitet me 2300 lekë të vjetra.

Por nuk mjafton kaq, qytetarët përballen edhe me sjelljet e izoluara të disa individëve me uniformën e shtetit që e interpretojnë ligjin sipas dëshirave të tyre.

I tillë është rasti i ardhur si denoncim sot në Voxnews.al, i një gjobe të vendosur nga policia rrugore në Tiranë.

Masa ndëshkuese nga punonjësi i policisë rrugore, që Voxnews.al po e identifikon vetëm me emrin Alket bazohet në nenin 156 të Kodit Rrugor, ku për këtë shkelje gjoba e parashikuar është 1 mijë deri në 3 mijë lek.

Gjoba maksimale, pra 3 mijë lekëshi vendoset në rastet kur provohet se mjeti ka shkelur për një kohë të gjatë Kodin Rrugor duke parkuar gabimisht.

Por, në rastin konkret të denoncuar në Voxnews.al, çudia nuk është vetëm kjo.

Alketi i policisë rrugore në shënimet e gjobës shkruan se drejtuesi i mjetit nuk ndodhej në makinë, ndërkohë që ishte krejt e kundërta, sipas dëshmisë së drejtuesit të mjetit.

Sipas ankesës së tij, efektivi ka bërë ‘sikur’ nuk e ka parë dhe pa asnjë paralajmërim ka nxjerrë nga xhepi bllokun e gjobave duke i faturuar 3 mijë lekëshin.

“Stres për trafikun, stres për karburantit, stres për gjobat. Avash se i vdiqët njerëzit”, denoncon qytetari në faqen e Vox News.

Denoncimi: Naftën nuk keni në dorë ta ulni, po gjobat a mund
Gjoba e prere sot nga policia rrugore

Përtej këtij rasti konkret, ka një perceptim të përgjithshëm mes qytetarëve se policët në rrugë dalin për të plotësuar normën e gjobave dhe jo për të ndëshkuar vërtet shkelësit e rregullave të qarkullimit.

Dhe për të ndërtuar këtë perceptim kanë kontribuar ndër vite efektivë si në rastin në fjalë, që turren me shpatë ndaj qytetarëve pa dashur t’ia dinë vështirësitë për parkime, apo çmimin e naftës që ka shkuar sa ‘pula e frëngut’.

Të gjithë janë të vetëdijshëm se gjobat janë një mjet për të shmangur e parandaluar shkeljet më të rënda të rregullave, që në shumë raste kanë marrë edhe jetë njerëzish në rrugët e Shqipërisë.

Por, gjobat maksimale me makinat fikur, ndoshta në këtë periudhë krize çmimesh të gjithanshme për qytetarët mos duhet të jenë më të përmbajtura?

Apo jo Alket?

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video