“Vendos ananas në picë”, kuzhinieri italian refuzon urdhrin dhe shkarkohet nga puna: Respektoj kulturën time

2026-11-05 17:15:52Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Vendos ananas në picë”, kuzhinieri italian refuzon

Një kuzhinier italian në Australi ka humbur vendin e punës pasi refuzoi të përgatiste pica me ananas, duke e konsideruar këtë një fyerje ndaj kulturës së tij.

Davide Tamburella u pushua nga puna në maj, nga restoranti La Costa në Brisbane, pasi kishte refuzuar disa herë kërkesat e drejtuesve për të përgatitur pica me proshutë dhe ananas për klientët. Sipas tij, udhëzimet që binin ndesh me kulturën italiane nuk duhej të zbatoheshin. Madje, kuzhinieri kishte kërkuar më herët nga shefi i tij që të kuptonte sesa e rëndësishme ishte për italianët të mos vendosnin ananas në picë.

Çështja përfundoi në Komisionin Australian për Marrëdhëniet e Punës, ku Tamburella pretendoi se ishte pushuar padrejtësisht. Në vendimin e publikuar të martën, komisioni vuri në dukje se kjo ishte hera e tretë brenda katër viteve që kuzhinieri kishte refuzuar të përdorte ananasin në pica. Megjithatë, ai humbi betejën e tij, për shkak se ankesa ishte paraqitur jashtë afatit ligjor.

Por refuzimi për të përdorur frutin nuk ishte e vetmja arsye e shqetësimeve të drejtuesve të restorantit. Ata kishin ngritur pretendime edhe për përdorimin e gjuhës fyese, mënyrën e komunikimit dhe përshkallëzimin e tensioneve në vendin e punës. Në prill, Tamburella kishte thyer edhe kockat e dorës së djathtë, pasi kishte goditur një parmak metalik.

Kuzhinieri shpresonte që restoranti t’i mundësonte një vizë pune për të qëndruar përgjithmonë në Australi, por pas shkarkimit, kjo procedurë u ndërpre. Drejtori menaxhues i restorantit deklaroi për mediat se “kjo histori ka më shumë sesa një çështje pice”.

Ndërkohë, Tamburella rezulton se punon tashmë në një tjetër restorant në Brisbane, ku, sipas një verifikimi të BBC-së, ananasi nuk figuron në menunë e tij.


Video