Ish-zv/kryeministri, Arben Ahmetaj është propozuar nga socialistët për postin e anëtarit të Komisionit për Integrimin Europian. Në nisje të seancës së sotme plenare, kryeparlamentarja Lindita Nikolla deklaroi se propozimi është bërë nga kreu i grupit parlamentar të PS.
“Kreu i grupit të PS ka kërkuar caktimin e zotit Arben Ahmetaj si anëtar i Komisionit për Integrimin Europian”, u shpreh Nikolla.
Pak javë më parë, Ahmetaj u shkarkua nga Rama nga posti i zv/kryeministrit ndërsa në vend të tij u emërua Belinda Balluku.
Kujtojmë se prej muajsh përflitej se Edi Rama ja kishte prerë biletën e largimit Arben Ahmetajt dhe dyshohej se pengesë për këtë mund të ishte Ilir Meta, që si President mund të mos e dekretonte këtë largim.
Ky dyshim u përforcua nga fakti që direkt në ditën e parë të punës së Presidentit të ri, Edi Rama i çon për të firmosur largimin e Ahmetajt nga posti.
Kjo u pa pasi deputetë Monika Kryemadhi, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho votuan kundër dekretit të shkarkimit, ndërsa deputeti i katërt i dalë nga LSI, Agron Çela nuk mori pjesë fare në votim.
Vota kundër e Kryemadhit është një tjetër mbrojtje ‘simbolike’ ndaj Ahmetajt, pas mbrojtjes publike që i ka dhënë vazhdimisht duke e përjashtuar nga përgjegjësia ligjore e penale për koncesionet e inceneratorëve, megjithëse siç edhe Voxnews.al ka denoncuar vazhdimisht ai është ideatori i këtyre koncesioneve dhe ndër firmëtarët e parë të tyre, përfshirë këtu firmën e hedhur për inceneratorin e Elbasanit.
Pas ‘ndëshkimit’ të shkarkimit nga posti i zv/kryeministrit dhe largimit si drejtues i PS në Vlorë, socialistët janë sforcuar duke i gjetur një punë periferike. Një detyrë e parëndësishme krahasuar me ato që ka mbajtur prej disa vitesh deputeti, Arben Ahmetaj./VoxNews