
Me hënën e re në shenjën e Akrepit nis një periudhë plot shanse deri më 12 dhjetor, parashikoi astrologia Chrysanthi Kalogeri këtë të hënë, më 9 nëntor. Sipas saj, kjo është një periudhë kur mund të ndërmarrim nisma të reja dhe të guximshme, idealisht pas datës 15 nëntor, pasi edhe Mërkuri dhe Afërdita të jenë kthyer në kurs të drejtë.
“Këto nisma duhet të jenë të mirëkonsideruara, të matura dhe pa ekzagjerime.”
Megjithatë, ajo pohoi se do të ndeshemi me situata të vështira politike dhe financiare gjatë kësaj periudhe.
“Në aspektin politik dhe financiar do të kemi një situatë shumë të ngarkuar, pasi kriza e vlerave të përgjithshme njerëzore ka sjellë edhe një krizë të shoqërisë. Jemi në një krizë ekonomike, mund të kemi probleme me bursën dhe është një situatë ku do të përballemi me beteja të forta për të dalë të fituar, ndaj kërkohen strategji dhe taktikë.
Do të kemi edhe zhvillime lidhur me liderët apo udhëheqësit. Të gjitha problemet që do të dalin gjatë nëntorit do të rishfaqen sërish në shkurt dhe në mars, ndaj kërkohet kujdes dhe jo nxitim.”
Dashi
Tema kryesore për ju janë financat, ku atje mund të bëni një fillim të ri, një bashkëpunim të ri financiar ose të merrni një iniciativë në lidhje me investimet. Këtu do të vendos theksin, për arsye se jeni në një fazë ku edhe përgjegjësitë janë më të mëdha. Më e rëndësishmja do të ishte që ju të mos hidhni hapa shumë të guximshëm, pa bërë një studim të mirë në lidhje me investimet që doni të ndërmerrni. Jeni njerëz impulsivë, të guximshëm, do të favorizoheni mjafton që ju të evitoni çdo ekzagjerim. Njëkohësisht do të keni zhvillime shumë pozitive në jetën tuaj emocionale dhe erotike, ku njerëz do të hyjnë në jetën tuaj dhe do t’ju ndryshojnë situatën. Njëkohësisht do të normalizohet edhe fusha e marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve që deri tani mund të kishte pengesa ose rikthime nga e kaluara. Çështje që kanë të bëjnë me fëmijët mund të marrin zgjidhje dhe mund të kërkohet të investoni për ta. Çdo gjë që do të trajtohet me qetësi do të udhëheqë drejt suksesit.
Demi
Është momenti të fokusoheni në marrëdhëniet, në bashkëpunimet tuaja. Në lidhje me fushën profesionale, disa nga ju mund të keni mbyllur një kapitull, mund të keni dalë nga një situatë dhe jeni në kërkim të një situate të re, kështu që favorizoheni në këtë drejtim. Mund të bëni një fillim të ri në bashkëpunimet tuaja profesionale, por edhe në marrëdhëniet tuaja emocionale. Përditshmëria juaj do të dalë pak nga pak nga ato pengesa dhe është momenti të zgjidhni disa çështje që kanë të bëjnë me familjen, pronën dhe shtëpinë. Mund të jetë një situatë që ka të bëjë me shitjen, blerjen e një prone ose zgjidhjen e një problemi prone që ka të bëjë me familjen tuaj, me prindërit tuaj. Të gjitha këto, në qoftë se ju nuk do të prishni qetësinë tuaj shpirtërore, nuk do t’ju krijojnë një tension të brendshëm, do të dilni të favorizuar. Jeni nga më të ndikuarit dhe vërtet do të thosha që duhet të matni mirë reagimet tuaja dhe vendimet që do të merrni.
Binjakët
Një fillim të ri do të bëni në punën tuaj dhe në përditshmërinë tuaj. Jeni të stresuar, do të vazhdoni të jeni të stresuar dhe ndoshta stresi ka të bëjë edhe me ngarkesën tuaj, por edhe me ndikime që vijnë nga të tjerët. Ndoshta të tjerët ju ushtrojnë një presion më të madh me qëllim që ju të arrini të keni një rezultat më të dukshëm dhe më të madh në punë dhe në përditshmërinë tuaj. Është shumë e rëndësishme të dini si të përdorni fjalën dhe të keni një komunikim me strategji dhe harmonik në përditshmërinë tuaj, në punën tuaj me klientelën tuaj. Edhe ndryshimet që do të vijnë gjatë nëntorit, që ndoshta i kanë pikërisht nismat këto ndryshime me këtë hënë të re, por ju do t’i ndjeni në fund të muajit, mirë është të mos i bëni ju nga ana juaj, ndërkohë që duhet t’i pranoni në qoftë se vijnë nga të tjerët dhe nuk keni rrugëzgjidhje tjetër.
Gaforrja
Në fakt, kjo hënë e re ju favorizon dhe mund ta konsideroja si një hënë që mund t’ju sjellë rinovim tek ju, një rinovim edhe në jetën tuaj emocionale dhe në lidhje me afrimin me të dashurit tuaj, mjafton që interesat tuaja financiare të mos implikohen me interesat e tyre. Në qoftë se keni zgjidhje të çështjeve financiare, atëherë këto duhet të bëhen me takt dhe strategji dhe duhet të evitohet si ulja, ashtu edhe ngritja e gjendjes suaj psikologjike, e cila ndikon menjëherë në reagimet tuaja. Pra, siguria juaj e brendshme, e cila është e lidhur ngushtë me sigurinë financiare, duhet të funksionojë me strategji në mënyrë që të dilni të fituar. Çështje që kanë të bëjnë me shtëpinë, me pronën, me të dashurit tuaj, do të gjejnë zgjidhje. Njëkohësisht do t’ju preokupojnë edhe fëmijët dhe mund të bëni disa shpenzime më tepër edhe për t’ua plotësuar qejfin atyre, vetes, por edhe të dashurve tuaj.
Luani
Një nga periudhat më të rëndësishme për ju. Do të keni zhvillime të cilat fillojnë nga ju dhe kanë të bëjnë me planet në përgjithësi për të ardhmen, ku atje është një çështje e hapur, e cila ka të bëjë me problemet ligjore, me studimet apo edhe me vendimet në përgjithësi që merrni ju për të ardhmen tuaj. Të gjitha këto varen se si do t’i trajtoni ju, pasi qasjen e ekzagjeruar e keni në ADN-në tuaj dhe nuk përjashtohet mundësia që të humbisni kontrollin. Pikërisht këtë nuk duam ne, pasi duhet të kapni shanset tani dhe të veproni me mençuri, pasi rrugët nga prilli e tutje hapen akoma më tepër. Gjithsesi, do t’ju preokupojnë çështje që kanë të bëjnë me një nga prindërit tuaj, me pronën, me familjen, me shtëpinë, me zyrën, ku do të bëni edhe një fillim të ri, mjafton që projektet të jenë sa më të organizuara.
Virgjëresha
Të kalojmë tek Virgjëresha. Një fillim të ri do të bëni në lidhje me ambientin tuaj, me përditshmërinë tuaj, një vendim ndoshta kërkohet të merret nga ana juaj. Do të thosha që ky vendim mund të merret pas datës 15 nëntor dhe mund të merret edhe deri në fillim të dhjetorit, mjafton të jeni të sigurt për vendimet që do të merrni. Njëkohësisht do të keni edhe zhvillime në sferën financiare, do të gjeni një mbështetje, disa para të vonuara do të vijnë dhe keni shanse deri në datat 13-14 nëntor, sidomos në datën 10 nëntor, të gjeni një mbështetje, por edhe të merrni disa të ardhura që ndoshta kanë ngelur pas. Organizoni sa më mirë përditshmërinë, organizoni sa më mirë dhe përgatituni për të nesërmen, pra për gjëra më afatgjata, dhe fokusohuni edhe ju në sferën financiare dhe kryesisht në ndryshimet që do të vijnë në punë dhe në jetën tuaj sociale.
Peshorja
Një nga shqetësimet tuaja janë marrëdhëniet personale dhe bashkëpunimet profesionale, ku kërkohet të merrni disa vendime të cilat do të jenë më të qarta me kohën. Njëkohësisht, Afërdita, e cila kthehet në kurs të drejtë në shenjën tuaj nga data 15 nëntor, do t’ju bëjë të ndiheni më mirë, t’i shikoni edhe njëherë akoma më qartë gjërat, t’i shikoni akoma më mirë gjërat. Ky fillim i ri bëhet në sferën financiare, në çdo gjë që ka të bëjë me xhepin tuaj. Do të gjeni ndihmë dhe mbështetje nga njerëz të rëndësishëm, nga njerëz që kanë një potencial ose nga njerëz të rrjetit tuaj shoqëror, të cilët kanë diçka më shumë se ju në dorë. Këta njerëz do të vijnë me propozime, me hov dhe me premtime të mëdha dhe vërtet disa diskutime do t’i bëni edhe nesër, të martën, por në përgjithësi gjithë java dhe gjithë periudha deri në dhjetor do t’ju preokupojë diçka që ka të bëjë me realizimin e synimeve, të cilat duan të sjellin rritje të të ardhurave dhe siguri më të madhe brenda jush. Por kujdes, se premtimet janë më të mëdha, jo me qëllim, por sepse vërtet kaq janë mundësitë.
Akrepi
Kjo hënë e re zhvillohet në shenjën tuaj, kështu që keni një fillim të ri. Ky fillim i ri ju premton një rinovim, një rinovim që do të fillojë në radhë të parë nga ju, por jeni kaq të stresuar sa nuk do ta shijoni dhe ndjeni, për arsye se ju streson sfera profesionale, karriera juaj, puna, por edhe zhvillimet me njerëz që janë më lart se ju. Në sferën profesionale keni filluar të keni dhe do të vazhdoni të keni shanse unike, mjafton që çdo gjë që doni të kërkoni në këtë periudhë, duhet ta kërkoni me takt dhe me strategji, duke evituar çdo konflikt. Do të keni shanse të merrni edhe një mbështetje për të cilën të tjerët nuk duhet të dinë. Kjo hënë e re duhet të funksionojë si një hënë rinovimi, ripërtëritjeje për ju, por kjo do të vijë vetëm në qoftë se do të evitoni çdo konflikt dhe çdo ekzagjerim.
Shigjetari
Një periudhë shumë e mirë për ju, në fakt, ku një nga aspektet dinamike të vitit do të thosha se ju favorizon. Ju favorizon në lidhje me çështjet ligjore, në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me jashtë shtetit, në përgjithësi me planet tuaja për të ardhmen, në lidhje me jetën tuaj erotike, emocionale, por edhe me plane që kanë të bëjnë me fëmijët. Dhe është e rëndësishme që ju tani edhe të veproni, por edhe nga ana tjetër të bëni një organizim sa më të mirë për të realizuar të gjitha çështjet e mësipërme. Të veproni larg syve të të tjerëve, bisedat t’i bëni në intimitet, të mos dinë të tjerët për zhvillimet që ju do të keni dhe njëkohësisht t’i përkushtoni pak më tepër rëndësi jetës suaj intime brenda shtëpisë, brenda një kuadri ku nuk do të ekspozoheni shumë.
Bricjapi
Një periudhë e rëndësishme për synimet dhe qëllimet tuaja, ku atje do të bëni një fillim të ri, do të gjeni përkrahës, do të gjeni miq, shokë ose thjesht njerëz të fuqishëm të rrjetit shoqëror, me të cilët ju doni të bëni këtë fillim të ri. Të jeni shumë të kujdesshëm në iniciativat financiare që do të merrni, për arsye se jeni në një periudhë ku sidomos ju që keni ashendentin Bricjap do të keni ndryshime dhe kanë filluar këto ndryshime në sferën financiare. Disa nga ju do të gjenden me shumë para, por disa do të vështirësohen shumë. Njëkohësisht, jeta juaj profesionale dhe jeta juaj sociale fillojnë të marrin ritmin që ju kërkoni dhe një ritëm më të mirë. Paralelisht, një periudhë shumë e rëndësishme për jetën tuaj emocionale, ku do të keni takime të tilla që do t’ju zgjojnë pasione të mëdha.
Ujori
Jeni nga më të ndikuarit e periudhës, ku dy janë akset kryesore që ju preokupojnë dhe këto akse kryesore do të sjellin ndryshime në jetën tuaj. Cilat janë këto dy akse? Karriera, jeta sociale dhe tjetra, shumë e rëndësishme, fusha e marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve tuaja, ku atje të tjerët do të kenë pretendime të larta nga ju, do të kenë kërkesa më të mëdha nga ju, do të vijnë edhe me oferta, në disa raste edhe mund t’ju provokojnë. Në qoftë se ju do të ruani qetësinë, diçka që ju e keni, dhe do t’i trajtoni gjërat me qetësi, atëherë do të bëni një fillim shumë të mirë në karrierën tuaj, në jetën tuaj sociale, e cila do të sjellë shanse nga fusha e marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve.
Peshqit
Hëna e re në shenjën e Akrepit pozicionohet shumë pozitivisht ndaj jush, kështu që horizonte të reja hapen për ju. Mund të bëni një udhëtim, mund të shikoni të takoni njerëz që i keni larg ose mund të bëni një udhëtim i cili t’ju lërë gjurmë dhe t’ju bëjë të shikoni disa gjëra me një këndvështrim tjetër më pas. Shumë të përpiktë dhe shumë të kujdesshëm në punën tuaj, ku do të keni shanse për një punë të re, do të keni shanse për një punë të dytë, por në punën ekzistuese duhet të evitoni keqkuptimet, konfliktet, të bëni lëvizje të kujdesshme dhe, domosdoshmërisht, të jeni brenda normave ligjore. Njëkohësisht, në qoftë se ju keni çështje që ju preokupojnë dhe kanë të bëjnë me letra, me ligje, me avokatë, mund t’i zgjidhni me takt, me insistim, me strategji dhe pa luftë.