Emigranti shqiptar: Erdha nga Italia vetëm për protestën, s’e lëmë sheshin pa ikur Rama

11 October 2026, 21:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Emigranti shqiptar: Erdha nga Italia vetëm për protestën,

Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës ka hyrë në ditën e 134-t, ndërsa tubimit në kryeqytet i janë bashkuar edhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Mes pjesëmarrësve ishte edhe një qytetar i ardhur posaçërisht nga Italia për të marrë pjesë në protestë. Ai vlerësoi qëndresën e protestuesve, duke treguar se zhvillimet e ditëve të mëparshme i kishte ndjekur vazhdimisht përmes telefonit dhe televizorit.

“Kam ardhur nga Italia vetëm për të marrë pjesë në ditën e 134-t të protestës. Protesta është gjëja më e bukur që në 133 ditë e kam ndjekur nëpërmjet telefonit dhe televizorit. Edhe ne i vuajmë vuajtjet tuaja. Vërtet kemi ikur larg, por nuk kemi ndërruar emrin dhe kombësinë, do të vdesim këtu”, u shpreh qytetari.

Ai nënvizoi se, pavarësisht largësisë dhe pamundësisë për të qenë çdo ditë në shesh, emigrantët vijojnë të jenë pranë protestuesve në Shqipëri përmes mbështetjes së tyre.

“Ne jemi në emigrim dhe nuk mund të jemi fizikisht çdo ditë këtu, por shpirtin, mendjen dhe zemrën e kemi këtu me ju”, deklaroi ai.

Gjatë fjalës së tij, qytetari kritikoi gjithashtu gjendjen ekonomike dhe kontrastin që, sipas tij, ekziston mes vështirësive të qytetarëve të zakonshëm dhe pasurimit të shpejtë të disa personave në vend.

“Shqiptarët kanë halle buke, ndërsa këtu bëhen milionerë për tri ditë. Kemi tërë jetën që punojmë e nuk bëhemi dot”, përfundoi ai.


Video