Dhuna ndaj studentëve protestues, Berisha paralajmëron policët: Do t’ua publikojmë fotot një për një!

26 October 2026, 13:04Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dhuna ndaj studentëve protestues, Berisha paralajmëron policët:
Sali Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar publikimin e fotografive të efektivëve të policisë që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj studentëve gjatë protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në një deklaratë për mediat, lideri demokrat u shpreh se opozita do të bëjë publike, një për një, fotografitë e punonjësve të policisë që ai akuzon për dhunë ndaj protestuesve.

 

Deklarata vjen në një kohë kur studentët vijojnë prej dy javësh protestat, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Berisha lëshoi gjithashtu akuza të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK-ut, duke pretenduar se këto institucione veprojnë në mbrojtje të interesave të mazhorancës. Ai komentoi edhe paketën e fundit të qeverisë, duke e lidhur atë me përqendrimin e pushtetit dhe rritjen e autokracisë në vend.

 Berisha: Siç e keni parë ju, Gjykata Kushtetuese është notere e padrinos, e qeverisë. Bazuar në një princip tjetër, ne do ta dërgojmë çështjen në Kushtetuese. Siç e kemi bërë dhe me SPAK. Të gjitha dosjet, e konfirmuara nga institucionet ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve, ata i mbyllin sepse janë kundër partisë së tyre. Pas paketës, ka pasur analistë që janë shprehur që me këtë paketë vendosi diktaturën. U them atyre se cilido që ka ABC-në elementare të politikës së një shteti dhe njihet me këtë grafik të 2021-shit, do të shohë diçka interesante, se është rritur autokracia. Do t’ua publikojmë fotot një për një atyre efektivëve që dhunuan studentë.


Video