
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një konferencë për mediat pas përfundimit të protestës së sotme në Tiranë, ku akuzoi policinë për dhunë të rëndë ndaj protestuesve.
Ai e cilësoi situatën si një “ditë dhe natë terrori”, duke pretenduar se efektivë të forcave “Shqiponja” dhe RENEA kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve dhe kanë përdorur armët në kundërshtim me rregullat.
Berisha u ndal te plagosja e një të riu, i cili, sipas tij, pësoi dëmtim të rëndë në sy, si dhe te raste të tjera të protestuesve të lënduar.
“Policia ka qëlluar me mjete zjarri në shkelje të plotë të armëve që përdoren. Erion Vishkulli humbi syrin. I diplomuar në Gazetari, ndërkohë që në mënyrë absolute nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm ndaj askujt. Në sy u plagos një protestuese paqësore tjetër. Mbi vetull u godit me plumb një protestues tjetër. Në abdomen me plumb, që duhet hequr me operacion. Akte barbare. 40-vjeçari Lorenco Bezani u shkelmua barbarisht nga koka, trupi, te këmbët, pa asnjë akt dhune”.
Kryedemokrati denoncoi gjithashtu arrestime që i cilësoi të paligjshme dhe pretendoi se disa qytetarë janë dhunuar nga efektivët e policisë.
“Dhjetëra e dhjetëra të tjerë janë torturuar, terrorizuar dhe janë marrë përdhunisht në komisariate, njerëz që s’kanë pasë asnjë lidhje me protestën. Unë sot këtu, dua t’i informoj shqiptarët se në mënyrë të përsëritur, banditë të droguar me uniformë ngacmojnë në makinat e tyre seksualisht vajzat që marrin. Për të mos thënë jo vetëm vajzat. Horra si ata nuk ka Shqipëria!”
Kreu i PD-së paralajmëroi se efektivët që, sipas tij, kanë kryer shkelje do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.
“I garantoj ‘shqiponjat’ e Ramës, se akti i parë i përmbysjes, largimit të padronit të tyre, ata një për një do të bëhen përgjegjës para ligjit për krime të shëmtuara”, u shpreh Berisha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme, ndërsa njoftoi se Partia Demokratike do të organizojë edhe protesta të tjera kombëtare.