Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka inspektuar shërbimet policore të angazhuara për mbarëvajtjen e protestës kombëtare, ndërsa ka zhvilluar një takim me drejtuesit e tyre për të përcjellë udhëzimet mbi menaxhimin e situatës.
Gjatë takimit, Hita u ka kërkuar efektivëve të zbatojnë me përpikëri ligjin dhe të respektojnë parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjeve, duke ruajtur qetësinë dhe profesionalizmin në çdo situatë.
Sipas tij, detyra e Policisë së Shtetit është garantimi i rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbrojtja e së drejtës së qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.
Kreu i Policisë u ka kërkuar drejtuesve që të udhëzojnë punonjësit e angazhuar për të ndihmuar qytetarët në nevojë dhe për të reaguar në përputhje me ligjin ndaj çdo akti të dhunshëm.
Policia e Shtetit është në gatishmëri për menaxhimin e tubimit, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe zhvillimin e protestës në përputhje me kërkesat ligjore.