Berisha: Rama xhelat i narko-shtetit, s’ka dhunë që ndal studentët

25 October 2026, 13:29Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha: Rama xhelat i narko-shtetit, s’ka dhunë që ndal
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mbajti një bashkëbisedim me qytetarët sot më 25 tetor.

Komentoi protestën e mbrëmshme në Tiranë. Berisha theksoi se nuk ka terror që mund të mposhtë rininë dhe qytetarët.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, dita e djeshme ishte një ditë kulmore e revoltës 12-ditore të studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës, por e vërteta është se në grevën e tyre janë përfshirë edhe universitetet dhe gjimnazet në disa rrethe të vendit. Thashë dita e djeshme ishte një ditë në të cilën qytetarët triumfuan, studentët triumfuan.

Studentët triumfuan sepse ata u faktuan shqiptarëve, por edhe mbarë komunitetit ndërkombëtar se nuk ka dhunë, nuk ka terror, nuk ka kërcënim që mund t’i mposhtë ata. Se ata janë të vendosur të mbrojnë me çdo çmim kauzën e tyre kundër një narkodiktatori dhe institucioneve të narkoshtetit që i detyron me vjedhjet, krimin, të largohen nga Shqipëri.

Ka pasur shumë protesta nga viti 1990 gjer sot në rrugët dhe sheshet e Tiranës, por mund t’u them se kjo është protesta më atdhetare. Kjo është thirrja që buron nga identiteti kombëtar, që buron nga shpirti, zemra e atyre mijëra e mijëra djemve dhe vajzave që na thonë se ne duhet të bëjmë Shqipërinë.

Që me protestën e tyre na thonë se nuk duam që të boshatiset ky vend. Që na thonë se ne duam të ndërtojmë ëndrrat tona të bukura në dheun tonë. Pra, kjo thirrje në momentet më kritike të kombit, kurrë kombi ynë nuk ka qenë në një moment më kritik të zbrazjes së plotë të vendit tonë. Kurrë kombi ynë në 10 vite nuk është rritur në moshë mesatare 10 vjet si këto 10 vite.

Kurrë kombi ynë nuk ka pasur një rënie kaq dramatike të lindshmërisë, ka rënë në lindshmërinë e 100 viteve më parë në atë kohë kur Shqipëria ishte më pak se 1 milion. Kurrë kombi ynë në 10 vite nuk ka humbur 47 përqind, ndoshta edhe më shumë, të banorëve të tij në Shqipëri”, tha Berisha.

Më tej, Berisha theksoi se Rama veproi njësoj si Vuçiçi, por se betejën me rininë e ka thjesht të humbur.

Kreu demokrat e akuzoi Ramën se udhëheq një shtet policore e të dhunshëm.

“Dje dhuna dhe terrori njohën përshkallëzime të papara. Një i ri, yll i tifozëve kuqezi, të cilët i urren Edi Rama, sic urren çdo gjë shqiptare, E.V, 28 vjec, i diplomuar në gazetari, nga Elbasani por që punonte në një biznes privat, u godit në shënjestër sy në sy, pa kryer asnjë veprim, në një kohë që nuk po kryente asnjë veprim, përveçse po rrinte me qytetarët e tjerë në protestë.

Dëshmitarë, që ishin së bashku me të, edhe ai kishte marrë saçme. Kriminelë me uniformë të paguar, vrasës të paguar, shkrehin plumba mbi qytetarët në protestë.

A.M, 31 vjeç, qytetar paqësor, mori plumbin në bark, i shpoi barkun. U ndërhy me kirurgji dhe u nxor plumbi i gomës. Përdorimi i armëve me plumba gome lejohet vetëm në gjymtyrët e poshtme, kurse pas bekimit të Padronit, i cili i thotë se je treguar i butë me kundërshtarët, jep urdhër, e dëgjuan të gjithë, mos i kurseni. Si mund të japësh ti një urdhër të tillë? Ti je xhelat. Absolutisht për atë urdhër do marrësh dënimet më të rënda, ti dhe ata vrasës të paguar që qëllojnë jashtë të gjitha kondicioneve ligjore.

L.B, qytetar që po bënte pazarin për të blerë zarzavate dhe ushqime për familjen e tij, e marrin, e godasin si kafshë me këpucë në kokë në të gjitha anët, e shakullosin pa ndjenja. Është i moshës 40 vjeç, pa asnjë lidhje me protestën.

Ish-oficeri i shquar i policisë, H.B, goditet me plumb gome në hundë, po mjekohet. Ai kurrë nuk ka qenë për dhunë aty. Janë qëlluar edhe deputetë, gazetarë.

Por çfarë tregoi protesta e djeshme? Tregoi se studentët betejën do ta fitojnë, sepse populli është i vendosur të mbrojë vajzat dhe djemtë e tij me çdo çmim, sepse qytetarët janë të vendosur t’u tregojnë vendin këtyre banditëve që mbrojnë kreun e organizatës më të rrezikshme kriminale në Shqipëri dhe në Evropë, Edi Ramën.

Solidariteti ishte i jashtëzakonshëm dhe do vazhdojë të jetë çdo ditë. Ndaj dhe një herë ftoj çdo demokrat e demokrate në krah të studentëve, me studentët, në mbështetje të studentëve”, deklaroi kreu i PD-së.


Video