Familja sot? Martesë e vonë dhe… pak fëmijë!

11 Korrik 2024, 12:42Dhoma e rrëfimit SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Familja

Entela Resuli*

Plakja e popullsisë është një fenomen që po prek të gjitha shtetet. Në pjesën më të madhe të vendeve anëtare të bashkimit Europian ky fenomen ka nisur prej dekadash, ndërsa në Shqipëri është bërë më i dukshëm pas viteve 2000. Megjithatë, Shqipëria ruan akoma raportin më të ulët të varësisë ndaj të moshuarve në Europë.

Shifrat që vijnë nga INSTAT na japin një panoramë më të qartë se çfarë po ndodh me lindjet në Shqipëri, duke i marr në analizë qytetet më të mëdha të vendit.

Ulja në vijimësi e numrit të lindje po përkeqëson shtesën natyrore të popullsisë.

Ekspertët e demografisë e konsiderojnë alarmante rënien e numrit të lindjeve, pasi ky hendek nuk mund të rikuperohet, ndryshe nga emigracioni që shpresat për rikthim ekzistojnë gjithmonë.

Fertiliteti

Në botën e zhvilluar, një normë fertiliteti prej 2.1 konsiderohet si niveli i zëvendësit të popullatës, apo me fjalë të tjera, numri mesatar i lindjeve për grua për të mbajtur numrin e popullsisë në nivel konstant.

Norma e fertilitetit në Shqipëri ka hyrë në një trend rënës që prej 2013-ës. Në 2017-n norma mesatare e fertilitetit ishte 1.48, nga 1.54 që ishte një vit më parë. Kjo normë ishte dhe më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian në 2016-n. Lindjet mesatare për grua në Bashkimin Europian ishin  1.6.

Kjo normë varion nga 1.94 lindje në Francë deri në 1.4 në Spanjë dhe në Itali.

Qarqet me lindshmërinë më të ulët në Shqipëri janë Vlora me 1.2 lindje për grua, Korça dhe Gjirokastra me 1.3 lindje për grua, Shkodra dhe Tirana me 1.4 lindje për grua, Fieri me 1.5 lindje.

Qarqet që kanë të njëjtën mesatare lindshmërie prej 1.6, sa edhe mesatarja e Bashkimit Europian, janë Durrësi, Berati dhe Elbasani. Ndërsa Lezha ka një mesatare prej 1.8 lindje për grua.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, në parashikimin e saj për popullsinë shqiptare, sipas normës së fertilitetit parashikonte në Variantin pesimist që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist, me emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit, deri në vitin 2100, të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht.

Gëzim Tushi

“Rënia e lindjeve, fenomen i vjetër”

“Në vitet ’60 kishim 7 fëmijë për grua; në vitet ’89-’90 kishim 2.3 fëmijë për grua; ndërsa tani kemi mbërritur te 1.5. Nga një popullsi me një dinamizëm, me lindshmëri të lartë dhe moshë mesatare shumë të re, kemi filluar të plakemi me shpejtësi. Pra, ajo që është shqetësuese është ritmi i plakjes së popullsisë. Te ne është shumë i lartë dhe jemi një nga 10 vendet që kemi këto ritme shumë të larta”, thotë Gëzim Tushi, sociolog.

Me ardhjen e demokracisë u rrit numri i aborteve, por sipas sociologut Tushi, edhe më problematike është preferenca e shqiptarëve për të pasur fëmijë të gjinisë mashkullore.

“Shumë shqetësues është aborti selektiv. Jemi një nga vendet, sipas studimeve të Këshillit të Europës, që e abortojmë fetusin për shkak të seksit të tij”, shprehet Tushi.

“Një nga faktorët që po ndikon fuqishëm në plakjen e popullsisë është emigracioni shumë i lartë. Nga ai emigracioni katastrofik i viteve ’90, deri te ky emigracioni i ditëve tona. Mirëpo ata që ikin janë të rinjtë, që do të riprodhohen. Largimi i tyre ndikon në plakjen e popullsisë. Papunësia ka ndikimin e saj, varfëria padiskutim, situata ekonomike ka ndikimin e vet”, vijon sociologu.

Sociologu Tushi vëren se shqiptarët e mijëvjeçarit të ri i frikësohen më shumë martesës. Rritja e numrit të divorceve është vetëm një tregues, ndërsa fenomeni i dhunës në familje rëndon gjendjen.

5 arsye pse njerëzit po martohen gjithmonë e më vonë

Vitet e fundit janë bërë shumë studime për të gjetur arsyet pse njerëzit po martohen gjithmonë e më vonë. Shumë prej çifteve të përfshira në studim pranojnë se nuk kanë gjetur personin e duhur, disa kanë vendosur që ta kalojnë jetën vetëm, një pjesë bashkëjetojnë dhe nuk shohin ndryshim nga martesa, ndërsa të tjerët…

Sepse janë fokusuar në karrierë

Një pjesë e mirë e të rinjve nuk duan të martohen pa pasur para në xhep, kështu që vitet e para pas studimeve janë të përkushtuar te karriera dhe puna e tyre. Duan të bëjnë sa më shumë para, në mënyrë që kur të gjejnë personin e duhur, të ndihen edhe më të sigurt. Por kjo mani nuk mbaron kurrë, përkundrazi, sa vjen e bëhet më e fortë. Të rinjtë bëhen gjithmonë e më shumë egoistë, derisa e gjejnë veten tek të 40-at. Dhe atëherë kuptojnë se jeta nuk mund të jetë kurrë e plotësuar nëse nuk jeton me dashuri.

Shumë çifte bashkëjetojnë

Të jetuarit së bashku është bërë një praktikë e zakonshme e çifteve para se të lidhin kurorë. Shumica e të rinjve e përdorin këtë mënyrë të jetuari për të provuar nëse janë të gatshëm për të nisur një jetë të re, por edhe mësojnë të mirat e martesës, bashkë me përgjegjësitë: shlyerjen e faturave, ndarjen e qirasë, ndarjen e punëve – pra angazhimin. Kjo shpjegon edhe shkakun pse po rritet mosha e martesës, veçanërisht vitet e fundit.

Të rinjtë jetojnë vetëm për periudha më të gjata

Një pjesë e mirë e të rinjve kanë fituar një pavarësi deri diku të shfrenuar me të jetuarin vetëm për një kohë shumë të gjatë. Duke zgjedhur të mos martohen, femrat në përgjithësi i krijojnë vetes kushte për t’u ngritur në karrierë, për t’u specializuar e trajnuar, por pa i ndarë me askënd këto përgjegjësi. Këto zgjedhje i bëjnë shpesh këta njerëz të jetojnë vetëm për periudha të gjata kohe, “derisa të kompletohen profesionalisht”. Por jetesa vetëm është edhe shkak i teknologjisë së avancuar, e cila i bën gjërat më të thjeshta. Çdo gjë është e reduktuar në kohë dhe më komode. Pastaj, të jetuarit vetëm është edhe më tërheqëse apo jo?

Martesa ka shumë teka

Sot nuk është më e çuditshme për të pasur fëmijë jashtë martese, madje edhe individë pa një partner mund të kenë sa fëmijë të duan. Por edhe çiftet që bashkëjetojnë mund të kenë fëmijë, ende pa lidhur kurorë. Po ashtu, edhe aborti është një fenomen mjaft i lirë vitet e fundit, ndaj ka shumë më pak mundësi që një shtatzëni e papritur të çojë domosdoshmërish në një martesë të shpejtë.

Familje më të vogla

Familjet e shoqërisë moderne po zvogëlohen gjithmonë e më shumë, më pak fëmijë. Kjo është edhe arsyeja pse të mos nxitoni të martoheni herët për të pasur një familje të madhe. Kur të presin maksimumi dy fëmijë, nuk ke pse nxiton të fillosh sa më shpejt. Një familje ideale, ajo më dy fëmijë, është maksimumi i sotëm, kështu që le të vijnë edhe më vonë. Megjithatë, përtej të gjithave, gratë e kanë një orë biologjike, thonë ekspertët.

*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.

***

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video