8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas. Ne nuk jemi shtrirë ndërkombëtarisht, por jemi përqendruar në një qytet të Shqipërisë për të njohur nëpërmjet fotografisë, gruan e viteve ’30. Është një qytet i cili ka njohur herët civilizimin; fryma e ardhur nga jashtë, për shkak edhe të emigrimit të banorëve të kësaj zone është ndjerë, sidomos në veshje. Po flasim për qytetin e Korçës. Personazhi ynë i sotëm, Vaster Dhima është koleksionist.
Ai ka përfunduar studimet për Arkitekturë, por deri më tani i është përkushtuar koleksionit. Këtë herë, Dhima na zhyti në portrete grash korçare të viteve ’30 realizuara në Korçë. Janë punë të fotografit Vani Burda (1875-1949), të cilat koleksionisti i ka siguruar me shumë mund.
Nëpërmjet portreteve të këtyre zonjave nga Korça do mundohemi të kuptojmë diçka më shumë rreth tyre në atë periudhë. Fotografia e Burdës ka karakteristikat e veta. Ai nuk ka fotografuar elitën e qytetit, por klientët të tij kanë qenë nga shtresa e mesme. Ka nga ato që janë të veshura me shumë stil, ku aksesorët si varësja apo kapelja nuk mungojnë, që janë të paktë, por mjaftojnë për t’u dhënë një pamje fisnike dhe dinjitoze.
Ndërsa flokët i kanë gjithmonë të kuruara dhe të kapura me karfica. Ajo që vihet re pothuaj te të gjitha fotot është fakti se ato janë serioze. Nuk qeshin, ndoshta sepse arsyeja e daljes në foto mund të ketë qenë për efekt dokumenti.
Megjithatë, edhe ato pak foto që janë bërë në studion e fotografit Burda, ku është menduar të ketë kompozime, përsëri mbizotëron serioziteti. Tregon kjo situatën e femrës në atë periudhë!? Këtë nuk mund ta themi me siguri. Fatkeqësisht fotot nuk kanë emra. Gjithkush nga ju mund të jetë me fat dhe mund të gjejë gjyshen, apo stërgjyshen e tij në koleksion të rrallë.
Nga ana tjetër mund të bëhet edhe një krahasim me gruan sot, si ka ndryshuar ajo në këto 90 vite dhe çfarë ka mbetur ende që nga ajo kohë.
Koleksionisti Vaster Dhima, është munduar ta studiojë me detaje fotografinë e Vani Burdës. Ai na sjell detaje rreth punës së tij nëpërmjet fotove dhe çfarë ka mësuar e kuptuar ai nga ky koleksion, për të cilin thotë se është me fat që e ka në dorë.
-Vaster, kur dhe si kanë rënë në duart tuaja këto foto?
-Këto foto nuk më kanë rënë në duar rastësisht, por kam arritur t’i “zbuloj” në sajë të pasionit tim disavjeçar për të koleksionuar punë fotografike të fotografëve të vjetër shqiptarë. Kam disa vite që kultivoj këtë pasion dhe gjatë kësaj periudhe kam zgjeruar njohuritë e mia rreth fotografëve shqiptarë ku fatkeqësisht pjesa më e madhe e punëve të tyre kanë mbetur thuajse të panjohura. Normalisht që koleksionimi i fotove është shpesh herë shumë i vështirë, duhet të arrish të identifikosh autorët e fotografive dhe këtu duhet eksperiencë, e cila fitohet me kalimin e viteve. Pjesën më të madhe të këtyre fotove i kam marrë nga koleksionistë të tjerë të cilët fatkeqësisht janë shumë të paktë në këtë fushë.
-Cili është autori i fotografive të “gruas korçare” dhe a ka një histori në realizimin e këtyre fotove?
-Autori është fotografi korçar Vani Burda. Këto janë fotografi të thjeshta që nuk mbartin ndonjë histori të veçantë, një pjesë janë të realizuara në studion e Burdës që janë dhe shkrepjet më të bukura dhe një pjesë të realizuara në eksterier (jashtë ambientit të studios) të cilat janë më të thjeshta e më pak të kuruara në çdo aspekt, por shumë të drejtpërdrejta.
-Cilave viteve u përkasin dhe si ka qenë kjo periudhë në Korçë në aspektin e fotografisë?
-Këto fotografi janë realizuar kryesisht në vitet 1930. Në këtë periudhë Korça ishte ndoshta kryeqyteti i fotografisë ku vepronin shumë nga fotografët më të mirë shqiptar dhe ku spikaste mbi të gjithë foto grafi fenomenal Kristaq Sotiri. Këta fotografë kishin hapur studiot e tyre ku shërbenin me përkushtim dhe profesionalizëm për qytetarët korçarë. Me shumë mundësi për Vani Burdën duhet të ketë qenë shumë e vështirë për të siguruar të ardhura nëpërmjet fotografisë, kjo vërehet pasi gjatë viteve 1930-1940 ai ndodhej në kushte shumë të vështira ekonomike dhe puna si fotograf nuk i siguronte mjaftueshëm të ardhura për familjen e tij.
-Sipas jush, cilat janë karakteristikat e fotografisë së tij, për çfarë dallohet ai?
-Të nxjerrësh konkluzione mbi foto grafinë e Burdës nuk është e thjeshtë sepse duhej që puna e tij fotografike të ishte e ruajtur mirë, dhe dokumentacioni rreth aktivitetit të tij të ishte më i plotë. Burda ka ushtruar krahas fotografisë edhe pikturën në nivel amator, duke e vënë shpesh herë në shërbim të fotografisë duke krijuar poli foto, postera, e shumë kompozime e riprodhime të tjera kryesisht me temë patriotike. Nga materialet që janë publikuar dhe qe disponoj mund të them që Burda është një fotograf shumë i kufizuar që punonte kryesisht në studio. Fotografia e tij është e errët dhe me kontrast. Në punën e tij mbizotërojnë portretet, grupimet familjare, figura në ditë karnavalesh, por mungojnë shumë peizazhet, reportazhet fotografike dhe shkrepjet e mirëfillta artistike. Këto që kemi në dorë, janë foto të grave korçare.
-Ka patur ndonjë qëllim fotografimi i tyre, apo janë foto që u janë dashur atyre?
-Realizimi i këtyre fotove është bërë thjeshtë për qëllime tregtare. Femrat që kanë pozuar janë klientë të cilat kanë kërkuar një portret thjesht për kënaqësi (apo arsye të tjera personale) dhe në shumicën e rasteve këto shkrepje janë realizuar për t’u përdorur si fotografi për dokumente si: dëftesa, pasaporta, letërnjoftime... Fotografitë të cilat kanë një sfond të bardhë janë foto tipike me destinacion përdorimin në dokumente të ndryshme.
-Ju vetë, si koleksionist çfarë keni parë të veçantë në këto fotografi?
-Nga këto fotografi duket se portretet e këtyre grave të fotografuara nuk janë veçse portreti i vetë fotografit. Portretet e tyre me një frymë shumë pesimiste, me nuanca zhgënjimi, vuajtjeje, pakënaqësie, ngurtë si nga pamundësia për të ndryshuar diçka në jetën e tyre janë pasqyra e vetë portretit të Vani Burdës, i cili në këtë periudhë ndodhej në një gjendje të mjerueshme ekonomike dhe i mbushur me mllef dhe me shpresë të rreme se shteti shqiptar do bënte të paktën një gjest mirënjohjeje për një nga themeluesit e kombit shqiptar. Në fakt e shpërbleu duke e lënë të vdiste në mjerim si cigareshitës në rrugët e Korçës.
-Cilat janë karakteristikat e gruas korçare në këto foto?
-Nga këto foto shihet se gruaja korçare e viteve ‘30 është goxha e emancipuar duke mos harruar që këto femra që shohim nuk janë pjesë e elitës korçare dhe megjithatë spikat një përpjekje për të pasur një pamje sa më modern për kohën që e shohim tek modeli i flokëve, veshja dhe aksesorët. Megjithatë frymën perëndimore që mundohen t’i veshin vetes nga jashtë duket që mbartin vuajtjet dhe frustrimin e një shoqërie ende të mbyllur dhe paragjykuese kundrejt femrës.
-Sipas jush, a kanë një mesazh sot këto foto?
-Normalisht që këto foto kanë mesazh, dhe mesazhi që merret është krejtësisht individual për secilin shikues. Këtu shohim fytyrën e gruas korçare dhe shqiptare e cila nuk është dhe shumë larg nesh sepse këto imazhe janë stërgjyshja, gjyshja apo nëna e dikujt sot. Përveç një vështrimi material duhet të mundohemi të kapim në portretin e në shikimin e tyre gjendjen psikologjike që fshihej në brendësi e në këtë mënyrë te shohim sa ndryshojnë këto femra të viteve 1930 të sjella falë punës së Vani Burdës nga femrat e ditëve të sotme në një shoqëri po aq patriarkale.
'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e VoxNews.
***
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.