
Nga Entela Resuli
Besian Gjikën e takuam këto ditë në Tiranë, pasi ishte duke kërkuar disa dokumente mbi historinë e emigrimit të shqiptarëve në Saint Louis të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Prej 9 vitesh së bashku me familjen jeton në këtë shtet të ShBA-ve. Sa herë që kthehet në Tiranë, qytet ku është lindur dhe rritur, gjen gjithmonë ndryshime.
Ka përfunduar studimet e Marinës Tregtare, dega Lundrim në Vlorë,por sot kontrollon cilësinë e hidrokarbureve në një nga terminalet e vendit ku jeton. Është baba i dy vajzave dhe pranon se jeta e tij brenda këtyre 9 viteve nuk ngjan aspak me të shkuarën e tij.
Largimi nga Shqipëria për të nuk ka qenë i lehtë, por ka menduar për më të mirën e tij dhe të familjes. Sot, pas një dekade nuk është penduar për vendimin që ka marrë.
Edhe pse larg, lidhjet në Shqipërinë dhe shqiptarët ka dashur t'i ruajë gjithmonë. E si bëhet kjo? Së bashku me bashkatdhetar të tjerë, kanë hapur shoqatën ‘ILIRIA’. Ky grupim përpiqet të bëjë bashkë shqiptarët atje për ruajtjen e traditave, gjuhës, festave dhe historisë.
Sot në Vox News kemi folur me një marinar që ka "lundruar" drejt tokës së premtuar, por sytë i ka gjithmonë nga vendlindja e tij.
-Besi, prej sa kohësh jetoni në St. Louis, dhe si dhe pse vendosët të largoheshit nga Shqipëria?
Jetojtashmëprej 9 vitesh në Saint Louis të SHBA. Largimi im nga Shqipëria erdhi pasi u martova dhe së bashku me time shoqe vendosëm të vazhdojmë jetën dhe karrierën në ShBA.
-Cili ishte shkollimi dhe puna juaj në Shqipëri?
Unë jam shkolluar në Vlorë në fakultetin e Marinës Tregtare, dega Lundrim, 1999-2003. Më pas vazhdova karrierën në anijet e flotës tregtare shqiptare dhe të huaj. Gjatë viteve, 2010-2015 kam dhënë mësim në qendrën për trajnimin e detarëve T.S.T.S Albania, në Durrës.
-Si ishin muajt e parë. Sa i vështirë ishte integrimi?
Fillimi ka qenë sa intrigues dhe po aq i panjohur, megjithatë brenda vetes nuk ushqeja pritshmëri të larta. Kam qenë i vetëdijshëm që çdo fillim i ri do të ketë koston e vet. Ambienti dhe njerëzit që më pritën, përfshirë njerëzit e afërm, kryesisht nga familja e sime shoqeje më ndihmuan dhe patën ndikim të madh në vazhdimësinë time. Pothuaj të gjithë punonin dhe shkolloheshin në të njëjtën kohë. Menjëherë u regjistrova në kolegj, në mënyrë që të integrohesha sa më shpejt në shoqërinë amerikane e sidomos në rrugën drejt njohjes më të thellë të gjuhës angleze.
-Aktualisht me çfarë merreni dhe a jeni i kënaqur me këtë punë?
Që prej vitit 2016 punoj në industrinë e hidrokarbureve si inspektor karburantesh (Petroleum Inspector). Për momentin punoj në një terminal me pagesë të kënaqshme dhe sapo kam mbyllur studimet në kolegj për Administrim Biznesi.
-A jeni penduar që jeni larguar nga Shqipëria?
Pyetje e vështirë. Shqipërinë e kam me vete në zemër kudo por nuk jam penduar. Sido që të jetë, profesioni që unë kisha në Shqipëri do të më mbante larg familjes dhe ky ishte një shkak tjetër për të nisur një karrierë nga fillimi.
-A ka shumë shqiptarë në St. Louis dhe cili është historiku i emigrimit të tyre?
Nuk kam një shifër të saktë të numrit të shqiptarëve në Saint Louis por mendohet të jetojnë diku rreth 4000-5000 syresh. Saint Louis-i është banuar herët prej shqiptarëve dhe qyteti dikur ka pasur rëndësi të veçantë. Janë botuar tri gazeta shqiptare (Trumbeta e Krujës, 1911), (Mprojtja Shqiptare, 1916), (E Vërteta, 1920-1923) e po ashtu më 23 shkurt 1913 u themelua Dega nr. 20 e Vatrës.Më 1918 hapet kisha shqipe e Shën Mitrit (Dhimitrit). E bëra këtë hyrje për të treguar që emigrantë e pare shqiptarë kanë qenë të angazhuar me çështjet kombëtare shumë herët, sidomos nga periudha e pavarësisë deri në formimin e shtetit shqiptar. Më vonë gjërat filluan të zbehen dhe hallkat e lidhjes mes Diasporës dhe Shqipërisë fillojnë e këputen. Pas viteve ‘90 fillon përsëri aktivizimi dhe sot një pjesë e madhe e shqiptarëve këtu janë stabilizuar dhe investuar në profesione dhe biznese të ndryshme duke qenë të suksesshëm.
-Ju, shqiptarët atje, keni themeluar edhe një shoqatë apo jo.Na tregoni diçka më tepër rreth këtij organizimi dhe cili është qëllimi i saj?
Po, është e vërtetë. Në 15 mars të vitit 2020 u themelua shoqata ILIRIA të cilën unë sot kam nderin ta drejtoj së bashku me bordin drejtues. Qëllimi i krijimit të shoqatës ishte forcimi i lidhjeve dhe identitetit të komunitetit, duke bërë të mundur ruajtjen e vlerave, traditave, e sidomos gjuhën dhe kulturën tonë. Çdo shqiptar jashtë trojeve është mirë të përpiqet sa mundet që të ruajë të gjitha këto cilësitë cilat ne i bartim me vete kudo shkojmë. Secili prej nesh është një ambasador i kombit dhe vlerave të tij.
-A kanë lidhje shqiptarët me njëri-tjetrin, organizoheni?
Lidhjet ekzistojnë dhe sa vijnë e bëhen më të forta. Ka martesa, miqësi, marrëdhënie biznesi, etj. Duke marrë një shembull personal do të thosha që vetëm nga ky katër vjeçar angazhim që kam pasur në shoqatë kam krijuar një rreth miqësie të mirë dhe kam njohur shumë shqiptarë që në kushte të tjera do të ishte shumë e vështirë të ndodhte. Ky është edhe një prej përfitimeve që sjellin angazhime të tilla në komunitet.
-Cilat janë aktivitetet që keni bërë apo do të bëni në të ardhmen?
Pas rreth 4 vitesh, që prej themelimit, janë organizuar një sërë veprimtarish, kryesisht social-kulturore, si dhe përkujtim të festave kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës. Disa aktivitete kryesore do të veçoja hapjen e shkollës shqipe (28 gusht2021), krijimin e klubit të futbollit për fëmijë (tetor 2022), promovim libri (mars 2022), promovim i piktorëve të vegjël (maj 2022), festa e gruas dhe nënës (mars 2023), krijimi i një kalendari dhe bashkëpunimi me biznese shqiptare në Saint Louis, të cilët kontribuojnë vazhdimisht financiarisht për projekte të ndryshme. Dua me këtë rast t’i falënderoj publikisht së bashku me të gjithë anëtarët dhe mbështetësit kudo janë.
Tani afër kemi një aktivitet ku është i ftuar Z. Ernest Nasto i cili do të mbajë një kumtesë mbi zgjedhjet dhe politikën amerikane e gjithashtu mbi raportet shqiptaro-amerikane ndër vite. Në prill vjen Z. Fatmir Rrahmanaj, Sekretar i Parë në Misionin Konsullor të RKS-së në IOWA/SHBA i cili do të takojë kryesisht komunitetin e shqiptarëve të Kosovës.
-Besi, me aq sa e njeh komunitetin shqiptarë atje, sa të integruar janë ata dhe a spikasin nga emigrantët që vijnë nga shtetet e tjera?
Pothuajse të gjithë emigrantët në Saint Louis janë të integruar dhe punojnë. Siç ju thashë më lart një pjesë jo e vogël sot drejtojnë biznese të karaktereve të ndryshme. Kjo gjë ndihmon edhe emigrantët e rinj të integrohen më shpejt dhe të kalojnë me pak pengesa drejt objektivave të tyre. Vlen për t'u theksuar se sot një numër i madh shqiptarësh janë shkolluar, madje disa me tituj shkencorë dhe rezultate të larta si në shkollë e po aq edhe në punë. Gjej rastin t'u bëj thirrje t’i bashkohen shoqatës dhe të ofrojnë ndihmë profesionale në shërbim të komunitetit. Pavarësisht kohës së kufizuar, nuk do të mund të bëjmë para si komb nëse nuk sakrifikojmë diçka nga vetja jonë në shërbim të një produkti shpirtëror të përbashkët, siç është shqiptaria. Në krahasim me komunitet e tjera mund të them që jemi ndër të paktët që ruajmë traditat dhe kulturën tonë të pa cenuar. Qëllimi ynë është që brezat që vijnë ta mbajnë këtë veçanti e nëse kombi ynë të ketë nevojë ne dhe ata/ato që do vijnë t’i dalin në krah. Ndoshta këto gjëra duken pak si folklorike mirëpo historia na ka treguar se duhet bërë kujdes e pasur maturi pasi gjërat duke qenë njerëzore, janë të pa qëndrueshme.
-Prej disa vitesh vendi ynë po përjeton një krizë shpopullimi, shumë njerëz po zgjedhin të largohen nga Shqipëria. Ju jeni një nga ata që e keni bërë këtë. Keni një mendim se pse po ndodh kjo. Pse ka një pakënaqësi kaq të madhe për jetesën dhe mbi të gjitha për të ardhmen në këtë vend?
Pyetje me spec pasi më duhet të dal nga roli i detyrës që kam, e cila konsiston në mos përzierjen politike, gjë që e kemi ruajtur me fanatizëm së bashku me kolegët në shoqatë. Gjithsesi, tani do të përgjigjem si shtetas shqiptar dhe votues. Shpopullimi ose emigrimi masiv është një dukuri e cili ka shekuj që ka ndodhur në tokat Arbërore. Nëse më parë ka qenë prej shkakut të pushtimeve nga jashtë, sot e qëkur është formuar shteti i shqiptar askush nuk mund të justifikohet më. Shkaqet e problemeve duhet t’i gjejmë tek vetja dhe zgjedhjet që bëjmë, e si rrjedhojë tek ofertat politike të cilat votojmë. “33 vite tranzicion" është sa qesharake po aq dhe e trishtë. Kjo nënkupton që vetëdija jonë politike lundron në ujëra të cekëta. Për sa mund të japim ne, shqiptarët kudo që jetojnë nëpër botë, si pikënisje do të ishte mundësia e votimit për të gjithë. Kjo do të sillte një angazhim serioz e me përgjegjësi, e jo vetëm opinione emocionale skajore të politizuara, pa pikë përgjegjësie. Nëse gjendja nuk ndryshon dhe shumica e votuesve nuk do të kuptojnë thelbin e demokracisë, atëherë ne do të vazhdojmë të humbasim shpresën dhe të vonojmë mundësitë për të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, pavarësisht ku jetojmë. Është e trishtë dhe e pandershme të hedhim në kosh përpjekjen e rilindjes kombëtare, gjakun e të parëve dhe sakrificat e prindërve tanë. Gjithsesi, unë kam shpresë për të mirën e vendit tonë dhe shqiptarëve kudo që janë…Pa sakrificë nuk ka sukses!
'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e VoxNews.
***
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.