
Mesatarisht dy gra në muaj vriten nga burrat në Shqipëri.
Shkaqet janë të ndryshme. Por mesa duket ajo me çka nuk mësohen dot burrat në vendin tonë është bindja se kanë të drejtë të bëjnë ç’të duan me gruan, madje edhe ta vrasin.
Ata e konsiderojnë pronë dhe si e tillë ajo duhet t’i bindet atij për gjithçka.
Pse duhet një burrë të shkojë drejt vrasjes së bashkëshortes? Pse një burrë duhet t’ia bëjë këtë “dhuratë” fëmijëve e të tij? Pse krime të tilla i dëgjojmë shpesh e më shpesh në vendin tonë?
Shteti duhet të reagojë për këtë plagë të shoqërisë që gjeneron dhunë dhe vrasje, e mbi të gjitha shkatërron breza të tërë, të cilët nuk janë në gjendje të jetojnë një jetë normale.
Një fëmijë që ka parë nënën e tij teksa i ati e vret me thikë, nuk mund të mos kalojë një jetë pa pasoja, mbi të gjitha psikologjike. Pasi nëse fëmijëve u vret nënën, i ke vrarë edhe ata…
Mbi këtë situatë po sjellim një bisedë me MSc. ValentinaTelhaj, psikologe këshillimi. Psikotraumatologe EMDR. Psikoterapiste CBT Terapiste ABA &proc, Mp. Psikologji Ligjore.
-Valentina, çfarë mendoni kur dëgjoni një lajm, ku një burrë ka vrarë gruan?
Një trishtim është i pashmangshëm për të treguar se çfarë po ndodh në shoqërinë tonë. Dhuna ndaj femrës është haptazi një shkelje e të drejtave të njeriut edhe si një problem global. Ky nuk është një fenomen i ri në Shqipëri sepse ajo ka rrënjët në traditat e zakonet patriarkale. Sjellja është ajo ç’ka njeriu bën. Besimet dhe sjelljet janë të lidhura; shpesh normat shoqërore ndikojnë mbi sjelljen, por sjelljet po ashtu mund të ndikojnë mbi normat shoqërore.
– Pse një burrë merr këtë vendim ekstrem, të vrasë një grua? Dhe aq më tepër, nënën e fëmijëve të tij?
Është fenomen që duhet studiuar me kujdes sepse kjo i ka rrënjët shumë të thella dhe ka shumë hallka që njeriu arrin deri në atë pikë. Normat shoqërore janë besimet që kanë përgjithësisht njerëzit në lidhje me atë që quhet tipike dhe e përshtatshme në një grup referimi; besimet për atë që njerëzit e tjerë mendojnë se duhet bërë. Normat shoqërore mundet ose jo të bazohen në besime të sakta rreth qëndrime. Qëndrimi personal është tendenca për të vlerësuar diçka (një njeri, simbol, besim, objekt) me një farë shkalle pëlqimi apo mospëlqimi.
-Një pjesë e mirë shprehen se kanë vepruar për shkak të xhelozisë.. ju si mendoni?
Xhelozia është një nga shkaktaret kryesore të dhunës dhe vrasjeve mes një çifti sipas studimeve, por këtu kam frikë se kemi të bëjmë me një dhune patologjike jo xhelozi tipike. Ajo e cila fillon si një dyshim i lehtë transformohet në një veprim me pasoja të rënda si dhuna dhe vrasja. Faktorët individual, faktorët shoqërorë, kulturor, emigracioni, janë ndër faktorët primarë/kryesorë që krijojnë rrethana të tilla.
-Shumë vrasje kanë ndodhur në sytë e fëmijëve, çfarë pasojash lë ky veprim te fëmijët? Ata do të rriten një ditë…
Dhuna ndaj grave është “çdo akt dhune me bazë gjinore që sjell ose ka gjasa të sjellë lëndime ose vuajtje fizike, seksuale ose psikologjike të grave, përfshirë edhe kanosjet për akte të tilla, shtrëngime apo heqjen arbitrare të lirisë, qoftë kur ndodhin në jetën publike, ashtu edhe në jetën private”. Deklarata e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, 1993).
Pasojat negative TË TMERRSHME, traumë që mendoj se sado të trajtohet do leri gjurmë shumë te forta që janë të pashmangshme te fëmijët që do të jenë prezent apo do e vuajnë gjithë jetën. Kjo ndikon në formimin e tyre psiko-emocional/social dhe përgatitjen e tyre jetësore.
-Pjesa më e madhe e burrave që vrasin, pasi kanë kryer krimin shfaqen të penduar, çfarë do të thotë kjo?
Kjo tregon se thellë brenda tyre jo vetëm pendesa, por edhe dhimbja për humbjen e personit ekziston. Situata të bëra në gjakftohtësi dhe situata të bëra në eskalim të ngjarjes gjithmonë derivojnë në dhunë dhe negativitet. Është shenje pozitive të shfaqet pendesa, por jetën e asaj qe ja ka marr s’ka asgjë në botë që ta kthejë. Nuk e kthen më pendesa e tij, ajo që vjen pas pendesës është periudha më e vështirë për autorin, përballja me realitetin e tij te zi, të fëmijëve të familjareve, të të afërmve etj…
-A ndikojnë kushtet ekonomike në komunikimin dhe jetën e një familje dhe një marrëdhënie bashkëshortore?
Kushtet ekonomike janë dhe shfaqen primare në një lidhje qoftë martesore apo jo e tillë. Krijimi i një standardi të mesëm apo të lartë për të jetuar krijon edhe kushte për zhvillimin e dhunës, dyshimit, zhvillimin e sëmundjeve mendore e shume gjëra të tjera.
-Valentina, shumë gra janë të dhunuara nga bashkëshortët e tyre, por shpesh nuk marrin guximin për t’u larguar prej tyre, në pjesën më të madhe të rasteve për hir të fëmijëve. Çfarë do u këshillonit atyre?
Të kërkosh ndihmë nuk është një mëkat as turp as dobësi, të kërkosh një ndihmë profesionale, shoqërore apo edhe shtetërore është zgjidhja më e mirë që mund t’u ofrohet grave. Mosprishja e familjes për hatër të fëmijëve kushton shume rreth raportit në çift, shumë herë u kushton jetën e tyre por dhe pikërisht të fëmijëve. Problem tjetër është se jo të gjitha kane suport nga familja e origjinës, ndaj detyrohen të jetojnë me shpresën që s’do jenë ato viktima e radhës…
-Ndërkohë kemi një rritje të numrit të divorceve në vendin tonë, dhe pjesa më e madhe e tyre kërkohen nga gratë, a tregon kjo një shenjë emancipimi?
Është shqetësuese rritja e numrit të divorceve në vendin tonë sepse përzgjedhja e një partneri në ditët e sotme ndodh NDONJËHERË si shkak ekonomik dhe jo PREJ NDJENJAVE. Deri sa vdekja t’ju ndajë apo në të mirë dhe në të keq bien poshtë si premisa ekzistuese.
-Po familja është në krizë?
Jo të gjitha familjet janë në krizë, ka familje që i kanë rezistuar shumë rrymave kohore dhe ndryshimeve klimatike kulturore. Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë përmban një sërë nenesh lidhur me dhunën në familje ndaj bashkëshortit dhe fëmijës/fëmijëve. Familja po tkurret dhe zvogëlohet nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, ka shfaqur prirjen e shpërbërjes. Familja është e shenjtë!
-Të dyja palët, si duhet ta menaxhojnë një gjendjet të vështirë mes tyre?
Edukimi, arsimimi, gjendja ekonomike janë faktorë që ndikojnë në menaxhimin e situatave të tilla mes partnerëve. Terapia e familjes do ishte një ndihmë shumë e madhe jo domosdoshmërisht ta mbajë martesën por edhe nëse do shkojnë drejt divorcit terapia i ndihmon të shkojnë pa shenja zemërimi e agresiviteti. Ndodh që familja nukleare mund të jetë streha më e pasigurte për femrën në ditët e sotme sikurse në zakonet e vjetra VAJZA rritet për të shkuar të dera e huaj.
Krimi në familje është kthyer në një fenomen të frikshëm, dhe kjo ndikon negativisht jo vetëm në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social të pjesës më të ndjeshme të shoqërisë (grave, fëmijëve dhe të moshuarve), por edhe në stabilitetin e familjes tradicionale, pasi shoqëria shqiptare nuk i ka ende instrumentet e duhura për ta përballuar krizën e familjes.
-Sa e vështirë është në një shoqëri si kjo e jona, për një grua të përballojë jetën e vetme, shpesh herë edhe më fëmijë, pas divorcit?
Është vështirë të dallosh realitetet urbane nga ato rurale, apo krimin urban nga krimi rural, por kur femra është e divorcuar, e cila është ndonjëherë e paragjykuar apo rreth saj ndërtohet stereotipi i paaftësisë për të mirëmbajtur një familje. Pas divorcit femra has shumë probleme dhe pengesa. Divorci është një proces i gjatë, i lodhshëm, i kushtueshëm dhe shpeshherë me pasoja të rënda shoqërore. Divorcet janë të shtrenjta për palët e përfshira dhe ky proces ka edhe implikime në ekonominë. Përballë situatës që do të jetojnë vetëm, ato bëhen barrë e familjes së tyre te origjinës që siç e përmenda më lart një pjesë e tyre nuk janë dakord me kthimin e vajzës në derën e prindërve sepse ndikimi i “opinionit të të tjerëve” është më i rëndësishëm se sa qetësia dhe siguria e vajzës. Plus që, në zonat rurale janë kryesisht me pak të ardhura, duke thelluar kështu varfërinë. Ndaj të gjitha këto që përmendem dhe shumë që ende nuk i përmendëm janë faktor i këtyre krimeve dhe tragjedive.
'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e VoxNews.
***
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.