Njihni Boranën që nuk kishte udhëtuar kurrë me avion, përpara se të bëhej stjuardesë

19 Mars 2024, 14:16Dhoma e rrëfimit SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Borana Korça

Entela Resuli

Borana Korça, fluturoi për herë të parë në një avion kur ishte stjuardesë. Paçka se e ëndërronte këtë punë, nuk i ishte dhënë mundësia të udhëtonte më herët.

Kështu, pasionin e ktheu në punë dhe nisi një jetë krejt tjetër nga ajo ç’ka ishte duke bërë në Tiranë deri në atë kohë.

Pas përfundimit të studimeve në Filozofi, ajo e la kryeqytetit, ku ishte lindur dhe u vendos në Riad të Arabisë Saudite ku prej vitesh punon dhe jeton.

Sot ai qytet është kthyer në shtëpinë e saj.

“Jam lindur dhe rritur në Tiranë, me origjinë nga qyteti i bukur i Pogradecit. Kam nisur karrierën në aviacion në Shqipëri në një moshë shumë të re si stjuardesë dhe më pas si shefe kabine dhe në Departamentin e Planifikimit të Ekuipazheve. Pas mbylljes së operimeve nga kompania ajrore ku punoja në Shqipëri, erdha në Arabi Saudite duke e filluar karrierën përsëri si stjuardesë e më pas shefe kabine dhe tashmë si instruktore e shërbimit dhe e menaxhimit të burimeve të ekuipazheve. Kam qenë pjesë e stafit rekrutues për stjuardesa ku kam pasur të mundur të rekrutoj dhe vajzat tona shqiptare. Gjithashtu kam marr pjesë dhe në konferenca ndërkombëtare rreth aviacionit si delegate dhe si folëse

Udhëtimet e kanë bërë një njeri më të hapur, pasi ka njohur njerëz të rinj dhe ka parë shumë vende.

Nuk kisha eksperiencë me udhëtimet me avion, madje fluturimi im i parë në avion ka qenë me uniformë stjuardese. Pasionin për udhëtimet e zbulova më pas nga eksperienca e bukur në punë”- na tregon ajo.

Në këtë intervistë, Borana na rrëfen se pandemia e ka prekur shumë fushën ku ajo punon, dhe shpreson që kjo situatë të përfundoi sa më shpejt për t’u rikthyer sërish intensitetit të punës së më pashme.

Po si kanë qenë fillimet e saj si stjuardesë dhe në çfarë pozicioni pune ndodhet tani, e mësojmë nëpërmjet kësaj interviste të saj.

–Borana, nga puna si stjuardesë tani jeni instruktore e tyre si dhe jeni përfshirë me rekrutimet e ekuipazheve, si ka ndryshuar jeta jote këto 6 vite?

Ka ndryshuar shumë dhe nuk e kam menduar se do e gjeja veten kaq komode në një profesion të tillë si instruktore. Më kanë tërhequr gjithnjë fluturimet, por në momentin që m’u dha mundësia për të aplikuar si instruktore doja patjetër ta provoja si eksperiencë të re. Tani fluturoj vetëm kur duhet të kontrolloj fluturimet apo ekuipazhet dhe më jep përsëri kënaqësi dhe pjesa e fluturimit që deri diku me mungon pak.

-Aktualisht për cilën kompani punoni?

Për momentin punoj në një kompani ekonomike në Arabi Saudite që ka 14 vjet që operon në treg. Në destinacionet verore është shtuar dhe Tirana, por për shkak të pandemisë nuk patëm mundësi të operojmë në sezonin veror të 2020. Shpresojmë që situata të përmirësohet dhe pse jo të shijojmë fluturime direkte Riad-Tiranë.

Njihni Boranën që nuk kishte udhëtuar kurrë me avion,

-Tashme jeton në Riad, si është jeta aty dhe a je përshtatur lehtë me kulturën, zakonet…?

Në fillim nuk ka qenë shumë e lehtë duke qenë se kultura është shumë e ndryshme. Vendi ka qenë i mbyllur. Por me kalimin e kohës gjërat kanë ndryshuar shumë. Tashmë Arabia Saudite ka hapur vizat turistike për vendin dhe çdo kush mund ta vizitojë dhe ne jemi përshtatur pak më shumë, e tani ndihemi si në shtëpi.

-Shumë shqiptarë zgjedhin Arabinë Saudite për të punuar, a keni njohur dhe në cilat fusha duan të angazhohen?

Kam informacion që ka shumë shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës, por nuk jam në kontakt me shumë prej tyre. Merren me punë të ndryshme dhe shumë prej tyre janë këtu për studime.

-Po në aviacion a kërkojnë të punojnë dhe sa joshës është ky profesion për ta?

Shqiptarët që janë këtu për momentin janë të fokusuar në drejtime të ndryshme, por kemi mjaft vajza shqiptare që punojnë ndërkohë në aviacion këtu. Madje vitet e fundit numri i vajzave shqiptare që punojnë si stjuardesa është rritur shumë.

-Gjithë bota është e përfshirë nga pandemia. Aviacioni është ndër sektorët më të prekur, si është përballuar në kompaninë ku ju punoni kjo situatë?

Jemi prekur shumë. Për 2 muaj e gjysmë kemi ndërprerë totalisht fluturimet dhe kemi qenë të izoluar nëpër shtëpia. Gjatë kësaj kohë kemi punuar online dhe jemi munduar të jemi të përgatitur nëse kriza do vazhdonte. Akoma një pjesë e fluturimeve janë të pezulluara. Janë marrë shumë masa për uljen e kostove por akoma vazhdojmë të operojmë dhe të jemi një kompani e suksesshme në rajon.

-Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e të punuarit stjuardesë?

Avantazhet janë fluturimet, udhëtimet, takimi me njerëz të ndryshëm nga kultura të ndryshme, të punuarit me kolegë të ndryshëm çdo fluturim që të bën të mësosh shumë. Disavantazh mbase do konsideroja oraret e punës. Fluturimet janë në orare të ndryshme 24 orë dhe kjo të bën të humbasësh rutinën e ditës, gjë që mund të jetë pozitive për larmishmërinë por edhe negative përsa i përket gjumit.

-Cilat janë dëshirat apo planet që ke në vazhdim?

Nuk kam një plan konkret. Për momentin jam e fokusuar te trajnimet e ekuipazheve dhe mundohem të punoj me veten për t’u përmirësuar dhe specializuar në këtë aspekt. Fluturimet dhe trajnimet janë fushat ku jam e përqendruar dhe besoj në të ardhmen karriera ime do vazhdoje të jetë e lidhur me ato, qoftë në Arabi Saudite apo në Shqipëri.

-Si janë lidhjet tuaja me Shqipërinë?

Shqipërinë e dua shumë dhe më mungon jashtë mase. Vij vazhdimisht për pushime për të takuar miqtë e familjarët e mi megjithëse kohët e fundit nuk kam ardhur për shkak të pandemisë. Uroj që e gjithë kjo situatë të mbarojë shpejt e të vij më shpesh. Jam vazhdimisht në kontakt me ish kolegët e mi e ndajmë vazhdimisht eksperienca pune. Në Shqipëri ka shumë profesionistë në aviacion dhe kam qenë me shumë fat që kam punuar dhe mësuar nga më të mirët atje.

'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e VoxNews.

***

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Video