Idriz Zogaj, shqiptar nga Kosova që jeton në Suedi, prej vitesh merret me sportin e kujtesës.
Kampionati Botëror i Kujtesës realizohet që nga viti 1991. Idrizi merr pjesë në të që prej vitit 2004.
Ai është diplomuar për inxhinieri fizike, por më së shumti e njohin si ekspert i teknikave të kujtesës.
Ka përfaqësuar Suedinë në Kampionatet Botërore të kujtesës ku ka fituar çmime të shumta.
Zogaj na ka dhënë disa këshilla se si të përmirësojmë kujtesën dhe nëpërmjet një bisede me të e kemi njohur më tepër këtë personazh interesant.
-Z. Idriz, si keni rënë në kontakt me këtë lloj sporti?
Kam filluar që në vitin 2004. Ishte koha kur doja të mësoja një gjuhë të huaj, një gjuhë të re, dhe teksa kërkoja libra për të mësuar gjuhën, u hasa me një botim, i cili kishte të bënte me mësimet për të forcuar kujtesën. Aty thashë, në rregull, që të mësosh një gjuhë të huaj duhet të dish ta memorizosh atë.
Në atë libër ngeca pa dashje në kapitullin e fundit, ku thoshte që nëse përvetëson këto teknika, mund të marrësh pjesë në kampionatin botëror dhe të konkurrosh aty.
Unë u habita me veten që, në harkun kohor të disa javëve arrita të kaloj disa nivele njëherësh. Dhe kështu, në po atë vit mora pjesë për herë të parë në garën e madhe të kujtesës, ku merrnin pjesë përfaqësues nga 30 vende të botës.
-Për të gjithë ata që nuk e dinë, çfarë është sporti i memories?
Është një sport si gjithë të tjerët. Në këtë rast duhet të mësosh teknika dhe të memorizosh letra, shifra, fjalë, data, emra, çdo gjë që do ti ta fusësh në trurin tënd.
Gjërat që nuk i kupton truri, që janë abstrakte për të, ti nuk mund t’i mbash mend, në këto moment duhet ta vizualizosh informatën, ta thjeshtosh.
Për shembull, një shifër të caktuar mund ta krahasosh me një personazh të caktuar, sepse atëherë ti arrin që ta memorizosh.
-Ju na thatë që jepni dhe mësime. Kush janë nxënësit tuaj?
Po ka, që nga fëmijë e deri tek personalitete të rëndësishme, duke futur këtu edhe biznesmenë. Ata mësojnë teknikat dhe më pas i praktikojnë ato. Habiten kur arrijnë rezultat dhe u vjen inat me veten se si nuk i kanë ditur më parë.
Për shembull në ekipin tim në Suedi, kam atë që është më i miri në botë, Jonasvon Essen, ka fituar kupën e botës. Jam autor i disa librave, libra për të rritur dhe libra për fëmijë. Aty gjen mësime mbi teknikat e memories. Ti e vendos nëse do ta mbash mend apo jo.
-A i ndihmojnë këto teknika nxënësit apo studentët që të mësojnë më shumë?
Po, një nga hallkat e konkurrimit në kampionat është të mbash mend data historike dhe rekordi i botës është dikush që për pesë minuta ka memorizuar 132 data historike. Domethënë ato çka i mëson për një vit, mund t’i mësosh për 5 minuta. Kjo vlen për studentët e historisë dhe jo vetëm për ata.
-Më konkretisht, si bëhet kjo?
E para është që të lidhësh informatat. Një fjalë, një figurë e lidh me tjetrën. Ne memorizojmë shifra shumë, por që ta memorizosh shifrën duhet ta krahasosh atë me një figurë. Të gjitha datat thjesht duhen vizualizuar. Një numri i japim pamjen e një figure, në të kundërt nuk e mban mend.
-Sa ndikon stresi në humbjen e kujtesës?
Ndikon shumë. Stresi ta dëmton trurin. Nëse një person është i shoqëruar vazhdimisht nga stresi, ai goditet direkt në memorie, ndaj duhet të ketë kujdes. Dhe ky është një moment ideal për t’u stërvitur mbi memorien.
Po ashtu duhet të bësh një jetë të shëndetshme. Duhet të kesh një regjim gjumi normal. Duhet të flesh të paktën 7 deri në 8 orë në 24 orë. Duhet të ushqehesh mirë, pasi nëse trupi yt nuk është mirë, atëherë nuk është as mendja. Kur kemi stres edhe harrojmë më lehtë.
-Çfarë kënaqësie të fal ky lloj sporti?
Po është një lloj sikur të shkosh në palestër e të bësh një ushtrim, në fund thua; ua e bëra këtë. Stërvitja e trurit duhet të jetë pjesë e shkollës, duhet të jetë pjesë e lëndëve mësimore.
'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e VoxNews.
***
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.