Bordi i Transparencës mund të bëhet i përhershëm, qeveria paralajmëron kontrolle të forta për çmimin e naftës

4 November 2026, 11:15Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bordi i Transparencës mund të bëhet i përhershëm,
Ministri Petrit Malaj në Komisionin e Ekonomisë

Qeveria do të ushtrojë kontrolle strikte madje po shqyrtohet mundësia që Bordi i Transparencës për hidrokarbureve të ekzistojë gjithmonë, në mënyrë që të reflektohet ulja e çmimit pas zhvendosjes së taksës së qarkullimit nga karburanti tek taksat e mjetit.

 “Ka disa mekanizma që po shqyrtohen nga qeveria. Së pari po mendojmë për një monitorim të tregjeve oligopol siç është tregu i hidrokarbureve që do të monitorohet për reflektimin e uljes së taksës së qarkullimit me 32.4 lekë. Po diskutohet nëse do të ketë një Bord Transparence permanent për të monitoruar çmimet e hidrokarbureve”, tha Malaj.

 Në komisionin e Ekonomisë, Ministri i Financave Petrit Malaj teksa iu përgjigj pyetjeve të deputetëve për paketën fiskale, tha se monitorim të shtuar do të ketë edhe për produktet ushqimore. Janë 54 produkte që konsumatorëve shqiptarë duhet t’u kushtojnë më pak nga janari i 2027-ës, vetëm prej uljes së TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6%.

 “Paralelisht po përdorim edhe teknologjinë për të analizuar çmimet nga prodhuesi, importuesi në treg, për të parë çmimet, që të reflektohet TVSH-ja”, tha Malaj.

 Ministri hodhi poshtë edhe pretendimet se rritja e TVSH-së standarde me 1% do të sjellë më shumë para në buxhet se ulja e TVSH-së për ushqimet?

“Rritja e TVSH-së standarde mundohet të kompensojë uljen e TVSH-së që ne do të bëjmë për produktet e shportës, dhe nuk e mbulon plotësisht. Rritja e TVSH-së në 21% sjellë 10.6 miliardë lekë në buxhet, dhe nga ulja e TVSH për ushqimet, humbja është 12.8 miliardë lekë”, tha Malaj.


Video