Revanshi i Euros nuk ndalet, arsyet pse po zhvlerësohet Leku

6 Janar 2023, 17:07Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Revanshi i Euros nuk ndalet

Euro vijoi forcimin e shpejtë në kursin e këmbimit me Lekun edhe ditën e premte.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane e mbylli javën në nivelin e 117.49 lekëve, në rritje me pothuajse 1.4 pikë krahasuar me të enjten dhe me afërsisht 4.3 pikë krahasuar me datën 28 dhjetor, kur Euro preku minimumin e saj historik prej 112.83 lekësh. Për një javë, Euro ka rifituar të gjithë terrenin e humbur në dy muajt e fundit dhe ka prekur nivelin më të lartë që nga fillimi i muajit nëntor.

Sipas burimeve nga tregu, ringritja e shpejtë e Euros i detyrohet një rritje të papritur të kërkesës nga tregu në ditët e fundit të muajit dhjetor, sidomos nga bizneset. Agjentët e tregut hipotizojnë se një ndikim të konsiderueshëm mund të ketë dhënë rritja e zakonshme, e përqendruar, e shpenzimeve publike gjatë muajit dhjetor.

Kjo ka sjellë një rritje të fortë të ofertës së Lekut në tregun valutor. Në këto kushte, shumë biznese mund të kenë shfrytëzuar likuiditetin e lirë të krijuar për të blerë në avancë rezerva Euroje, duke parë kursin e ulët historik të monedhës europiane.

Nga ana tjetër, ekspertët e tregut nuk përjashtojnë që rënia e Euros të lidhet edhe me blerje në vlera të mëdha nga korporata të veçanta. Përgjithësisht, lëvizjet forta në një kah në tregun valutor shqiptar ndodhin kur ka një kërkesë të madhe, të përqendruar në një periudhë të shkurtër kohore. Duke pasur parasysh përmasat e vogla të tregut, një kërkesë e tillë nxit një goditje të fortë në kursin e këmbimit valutor.

Nëse kërkesa e fortë për Euro në ditët e fundit ka ardhur si rezultat i blerjeve në avancë prej bizneseve, ekspertët mendojnë se kjo do të ndikojë në një kërkesë më të ulët për monedhën europiane deri në fund të tremujorit të parë. Në këtë rast, gjasat janë që Euro të pësojë sërish një rënie graduale për periudhën në vijim.

Megjithatë, parashikimet për kursin e këmbimit valutor ngelen subjekt i një pasigurie të lartë, edhe duke pasur parasysh zhvillimin e zgjedhjeve lokale në muajin maj.

Vitet zgjedhore shoqërohen me rritje të shpenzimeve publike në muajt që paraprijnë zgjedhjet, që nënkupton më shumë ofertë leku në treg. Por, nga ana tjetër, historia ka treguar se në periudhat parazgjedhore ka një rritje të flukseve valutore nga burime informale. Kjo përkthehet kryesisht rritje të ofertës së Euros.

Në ditët e para të këtij viti leku po humbet terren me ritme të shpejta edhe ndaj valutave të tjera kryesore, duke filluar nga dollari amerikan dhe paundi britanik. Megjithatë, kjo reflekton forcimin e këtyre valutave ndaj Euros në tregje ndërkombëtare dhe nuk lidhet me zhvillimet në tregun e brendshëm valutor. /Monitor

Video