
Katet pa leje do të shiten në ankand publik. Qeveria ka miratuar udhëzuesin ku parashikon se si do të trajtohen metrat katrorë të ndërtuar jashtë lejes së ndërtimit, ku procedura e parë është shitja e tyre.
Ky aksion i ekzekutivit nisi në shtatorin e shkuar dhe tanimë është konkretizuar se si do të procedohet me to. Konkretisht, e para është nxjerrja në ankand publik, ku sipas udhëzimit, thuhet se shitja do të bëhet sipas vlerës së tregut dhe jo hartës së pronës me të cilën qeveria kryen shpronësimet: “Vlerësimi i objektit bëhet në përputhje me vlerën reale të tregut. Ekspertët vlerësues mbajnë përgjegjësi për vlerësimin e kryer, për dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tyre dhe hartojnë raportin përfundimtar të vlerësimit, i cili përmban vlerën minimale të shitjes me ankand”.
Pas vlerësimit me të cilin nis edhe çmimi fillestar në ankand, fillon etapa e dytë, se si do të menaxhohen paratë që do të përfitohen: “Procedura e kalimit të të drejtave reale mbi pronën e konfiskuar, do të zhvillohet nëpërmjet ankandit publik. Të ardhurat e krijuara nga shitja do të përdoren për shpronësim, trajtim të posaçëm apo kompensime, me qëllim realizimin e punëve publike”.
Udhëzimi ka parashikuar gjithashtu edhe një rrugë të dytë për katet pa leje, dhënien e tyre për strehim social, akt i cili bëhet vetëm në ato raste kur ky interes prevalon mbi shitjen dhe këtë vlerësim do ta bëjë vetë qeveria: “Institucionet e interesuara për të përdorur objektet e konfiskuara, do të shprehin interesin e tyre pranë ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, për t’i përdorur për nevojat e tyre. Ky institucion, kur e gjen në raport të drejtë me interesin publik, kryen transferimin e tyre me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Ky udhëzim tashmë është titull ekzekutiv dhe nuk përjashton nga e drejta e blerjes edhe të vetë atyre që kanë ndërtuar në shkelje të lejes së ndërtimit.