
Eurozona regjistori në muajin mars një shifër rekord rritjesh çmimesh, ku inflacioni u ndal në 7.4 për qind, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.
Rritjen më të fortë të çmimeve e regjistruan vendet lindore të varura më shumë nga tregtia me Rusinë dhe Ukrainën. Lituania shënoi rekordin me 14.6 për qind. Estonia me 14.8 për qind, Çekia me 11.9 për qind. Inflacioni më i ulët u regjistrua në Malte me 4.5 për qind.
Në Francë u regjistrua 5.1 për qind, Portugali 5.5 për qind. Gjermania kapi shifrën 7.6 për qind, Italia 6.8 dhe Greqi 7.9 për qind. Rritjen më të lartë e pati energjia dhe më pas shërbimet dhe ushqimet.
Inflacioni në Eurozonë është thuajse dy pikë përqindjeje më i lartë se ai i njoftuar nga Instat në Shqipëri. Sipas Instat, inflacioni në vendin tonë ishte 5.7 për qind në muajin mars.
Por shifra vihet në mëdyshje. Ekonomia shqiptare është ende në zhvillim dhe me probleme të mëdha në strukturën e tregut, që në shumë sektorë ka trajtën e një oligopoli, që nga karburantet e deri te ushqimet.
Në mënyrë indirekte këto oligopole dhe abuzimet me çmimet i ka njohur edhe vetë Qeveria, kur vendosi ngritjen e bordeve të transparencës për përcaktimin e çmimeve të karburanteve dhe të ushqimeve bazë.
Thënë këtë, në Shqipërinë me treg të kontrolluar nga një grusht njerëzish, rritja e çmimeve ishte më e ulët se rritja e tyre në vendet e Eurozonës, me tregje të konsoliduara e konkurruese dhe për më tepër me struktura shtetërore që ‘u bien kokës’ me gjoba të majme se herë që gjejnë abuzime.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.