
Elon Musk tha të enjten se ai ka siguruar 46.5 miliardë dollarë në borxhe dhe financime kapitali për të blerë kompaninë e rrjetit social Twitter dhe po konsideron ta çojë ofertën e tij drejtpërdrejt te aksionarët, sipas një dosjeje të dorëzuar te rregullatorët amerikanë.
Vetë Musk është zotuar të japë 33.5 miliardë dollarë, të cilat do të përfshijnë 21 miliardë dollarë kapital dhe 12.5 miliardë dollarë hua me marzh fitimi kundrejt disa prej aksioneve të tij Tesla Inc. për të financuar transaksionin. Ai është drejtor ekzekutiv i kompanisë së automobilave Tesla.
Musk, personi më i pasur në botë sipas një raporti nga Forbes, më 14 prill paraqiti një ofertë "më të mirë dhe përfundimtare" në para prej 43 miliardë dollarësh për bordin e drejtorëve të Twitter.
Lëvizja e fundit e Musk vjen pasi Twitter nuk iu përgjigj ofertës së tij dhe miratoi një "rregullore" për të penguar përpjekjet e miliarderit për të blerë platformën e mediave sociale, duke ndaluar zotërimin e 15 për qind të aksioneve për çdo aksioner.
Musk, aksioneri i dytë më i madh i Twitter me 9.1 për qind të aksioneve ka thënë se ai mund të bëjë ndryshime të mëdha në kompaninë e mikro-blogimit, ku ka një ndjekës prej më shumë se 80 milionë përdorues.
Aksionet e Twitter ranë më pak se 1 për qind pas lajmeve për financimin, duke treguar se tregu është ende skeptik për marrëveshjen, duke qenë se Twitter pritet ta refuzojë atë për çmimin.
Musk mban 172.6 milionë aksione në Tesla, tregon dokumentacioni më i fundit rregullator. Të mërkurën, ai u kualifikua për kompensim në formën e opsioneve të aksioneve me vlerë rreth 25 miliardë dollarë pasi Tesla arriti miliarda dollarë të objektivave të performancës së fitimit dhe të ardhurave.