PPP-të arritën rekordin historik në 2024: 27% e PBB-së shkoi për kontratat koncesionare

23 Janar 2026, 10:09Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Vlera kumulative e investimeve të parashikuara në kontratat koncesionare dhe partneritetet publik-privat (PPP) në Shqipëri arriti në nivelin më të lartë historik në vitin 2024, duke përbërë rreth 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ky tregues shënon një rritje me rreth 2% krahasuar me një vit më parë dhe konfirmon peshën gjithnjë e më të madhe që kanë marrë projektet me koncesion/PPP në financimin e investimeve publike, sipas raportit të publikuar nga Ministria e Financave.

Në total, deri në fund të vitit 2024, në Shqipëri janë miratuar 233 kontrata koncesionare/PPP. Prej tyre, 176 kontrata i përkasin periudhës 2004–2013, ndërsa 57 kontrata janë miratuar gjatë viteve 2014–2024, çka përkthehet në një rënie me rreth 67% të numrit të kontratave në dekadën e fundit.

Sipas raportit, kjo rënie lidhet edhe me ndryshimet ligjore dhe rregullatore, veçanërisht pas vitit 2019, kur u kufizua ndjeshëm përdorimi i propozimeve të pakërkuara.

Sa i përket mënyrës së inicimit të projekteve, vetëm rreth 13% e kontratave janë propozuar nga autoritetet kontraktuese përmes procedurave konkurruese, ndërsa 87% kanë qenë propozime të pakërkuara nga subjektet private. Megjithatë, me ndryshimet ligjore të vitit 2019, pranimi i propozimeve të pakërkuara është kufizuar vetëm në sektorë të veçantë, si portet, aeroportet dhe energjia.

Nga pikëpamja institucionale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbetet autoriteti kontraktues dominues, me 211 kontrata koncesionare/PPP, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet mes ministrive të linjës dhe njësive të vetëqeverisjes vendore. Për nga sektorët, energjia dhe transporti mbajnë peshën kryesore në vlerë investimesh. Vetëm sektori i transportit përfshin 27 kontrata, me një vlerë totale investimi rreth 209 miliardë lekë, ndërsa sektori i mjedisit numëron 6 kontrata me vlerë 25.8 miliardë lekë. Në shëndetësi janë miratuar 4 kontrata me vlerë rreth 4.2 miliardë lekë, ndërsa në sektorë të tjerë – bujqësi, kontroll fiskal dhe zhvillim urban – janë përfshirë 10 kontrata me vlerë 12.4 miliardë lekë.

Në aspektin fiskal, raporti evidenton se ekspozimi buxhetor nga kontratat koncesionare/PPP mbetet brenda kufijve të rregullit fiskal. Për vitin 2024, pagesat buxhetore për PPP-të përbënin rreth 2.2% të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës, ndjeshëm nën kufirin maksimal prej 5%. Pagesat vjetore neto të realizuara për kontratat me mbështetje buxhetore arritën në rreth 13.29 miliardë lekë, niveli më i lartë ndonjëherë.

Në tërësi, raporti i Ministrisë së Financave konfirmon se, ndonëse ritmi i miratimit të kontratave të reja është ngadalësuar vitet e fundit, pesha financiare e projekteve ekzistuese me koncesion/PPP në ekonomi ka vijuar të rritet, duke arritur në një rekord prej 27% të PBB-së në vitin 2024. /ekofin.al

PPP-të arritën rekordin historik në 2024: 27% e PBB-së shkoi


Video