Prej ditësh është hedhur për konsultim draft-strategjia për sektorin e turizmit. E ndërsa është vlerësuar deri tani biznesi që operon në këtë sektor, taksat që do të paguajnë, mënyrën se si do të mund të mbështeten, riparja e banesave me qira ditore, shërbimi etj., një pikë e rëndësishme është dhe stafi. Gjithnjë e më shumë po flitet për mungesë stafi të kualifikuar, për mungesë burimesh njerëzore qoftë dhe të pakualifikuara. Shumë vende europiane që si sektor primar kanë turizmin, kanë gjetur mënyra të ndryshme për të punësuarit sezonal, duke i trajtuar më pas me asistencë.
Duket se dhe bizneset e turizmit kanë gjetur një dakordësi paraprake me qeverinë sa i takon një sigurie më të madhe mbi forcën punëtore e cila është tejet e luhatshme për shkak të sezonalitetit.
Në draftstrategjinë e turizmit, pranohet se sektori privat dhe shteti mund të ofrojnë së bashku subvencionim të punonjësve përgjatë muajve kur subjektet nuk operojnë, duke e parë këtë si një garanci për të pasur punonjës gjatë sezonit veror.
“Për të mundësuar mbajtjen e forcës punëtore, si dhe për të mbështetur punonjësit sezonalë dhe për të siguruar stabilitetin e tyre financiar gjatë të gjithë vitit, është e rëndësishme të zbatohet një masë që ofron përfitime të vazhdueshme nga punësimi dhe mbështetje financiare gjatë periudhave jashtë pikut thuhet në draftstrategji.
Më tej dokumenti vijon se ky kuadër duhet të fokusohet te punonjësit sezonalë në industrinë e turizmit, duke siguruar që ata të marrin kompensim të përshtatshëm kur nuk janë duke punuar në mënyrë aktive, si dhe duhet të stimulojë punëdhënësit që të mbajnë forcën e tyre punëtore për sezonet pasuese.
Por si synohet të arrihet kjo? Në një nënndarje me veçoritë kryesore të kësaj politike detajohet se së pari duhet të bëhet përcaktimi i qartë i grupeve të synuara dhe përfituesve të mbuluar nga kjo masë (punëmarrësit dhe punëdhënësit).
Pra për përcaktimi i periudhës minimale që duhet të punojnë punonjësit pa ndërprerje, për të njëjtin punëdhënës, për t’u kualifikuar për këtë masë (për shembull, të paktën gjashtë muaj dhe të paktën një sezon). Po kështu identifikimi i llojeve të punëdhënësve dhe aktiviteteve ekonomike që kualifikohen për subvencione, si p.sh., bizneset që përballen me ulje të volumit të punës gjatë sezoneve jashtë pikut, për shkak të natyrës sezonale të veprimtarive të tyre;
Një tjetër element është përcaktimi i kohëzgjatjes maksimale të masës, pra për sa kohë do të ofrohet mbështetje financiare (për shembull, deri në gjashtë muaj pas përfundimit të sezonit).
Po kështu specifikimi i kostos për përfitimet dhe sigurimet shëndetësore edhe pas përfundimit të sezonit që do të mbulohet nga qeveria në vend të punëdhënësit gjatë kohëzgjatjes së masës.
Përcaktimi i shumës së ndihmës ekonomike që do të marrin punonjësit, e llogaritur në bazë të përfitimeve nga papunësia, si dhe i përqindjes së pagës mesatare të mbuluar gjatë periudhës së masës është një tjetër pikë.
Në fund edhe përcaktimi i qartë i detyrimeve të përfituesve, si p.sh., të garantojnë ripunësimin e punonjësve të përhershëm sezonalë në sezonin pasues pas përfundimit të masës dhe mbajtja e të njëjtit numër të punonjësve të dhënë në datën e dorëzimit të aplikimit për një periudhë të caktuar.