Në fillim të prillit të këtij viti pensionistët, personat me ndihmë ekonomike, invalidët e punës dhe jetimët do të mund të hapnin një llogari bankare pranë një banke të nivelit të dytë pa asnjë tarifë.
Kjo llogari bëhej funksionale vetëm në monedhën vendase (lekë), dhe do të shërbente edhe për të marrë pensionin apo ndihmën ekonomike që kategoritë përfituese marrin. Si dhe do të mund të bëjnë transferta pa pagesë brenda vendit.
Por në fillim të këtij muaji pensionistët, të cilët dëshirojnë që ta përfitojnë pensionin e tyre nëpërmjet bankës, kanë në dispozicion dy rrugë për të bërë kërkesën e tyre pa asnjë kosto shtesë.
Aplikimi mund të bëhet nëpërmjet portalit e-Albania, ku qytetari në aplikim duhet të ngarkojë formularin e të dhënave të llogarisë bankare të lëshuara nga banka.
Ndërsa mënyra e dytë është në degën e bankës ku pensionistët dëshirojnë të marrin pensionin, e cila ka përgjegjësitë për dërgimin e kërkesës sipas procedurës së përcaktuar për veprime nëpërmjet portalit.
Instituti i sigurimeve Shoqërore ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me 9 banka tregtare në vend ku pensionistët mund të transferojnë pensionin dhe të përfitojnë llogari me komisione zero apo të reduktuara.
Nga ana tjetër, për ata pensionistë që kanë zgjedhur tashmë që pensionin ta marrin përmes sistemit bankar, do të duhet që në muajin Mars dhe Shtator të çdo viti, të paraqitet në bankën përkatëse ku kanë llogarinë dhe të konfirmojë vazhdueshmërinë e pagesave duke nënshkruar një deklaratë.
Përfituesi mund ta plotësojë dhe ta depozitojë deklaratën konfirmuese në një 6-mujor pranë sportelit të bankës dhe 6-mujorin tjetër mund ta bëjë nëpërmjet portalit e-Albania.