Bujqësia në rënie, por shkurtohen më tej fondet. Ku do të shkojnë “grimcat” e granteve të miratuara nga Qeveria?

3 Shtator 2024, 13:05Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Sektori i bujqësisë ka hyrë në një cikël rënie, ku mangësitë në prodhim po plotësohen me produkte importi.

Megjithë këtë cikël rënës, në ndryshimet e fundit të buxhetit, qeveria i rishikoi me ulje financimet në këtë sektor.

Megjithatë në “grimcat” e dhëna për bujqësinë, Ministria e Bujqësisë do të hapë një skemë të re mbështetje për fermerët përmes subvencioneve. Qeveria ka akorduar një shtesë fondesh për Ministrinë e Bujqësisë në vlerën e 500 milionë lekëve.

Ku do të shkojnë këto parà

Në relacionin që shoqëron këtë dokument, thuhet se shtesa e fondeve në masën 500 milionë lekë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural,  do të shkojë  në mbështetje të fermerëve për implementimin e skemës së re të mbështetjes/grand për investime, e cila synon të krijojë iniciativë për rritjen e investimeve në sektorin e bujqësisë, me qëllim rritjen e prodhimit, agropërpunimit dhe eksporteve.

Referuar relacionit, shtesa nevojitet për të mbuluar rreth 20-30% të aplikimeve, të cilat i korrespondojnë periudhës shtator-dhjetor 2024.

Pas miratimit të aktit normativ, Ministria e Bujqësisë ka dhënë disa detaje se ku do të përdoret ky fond. Sipas këtij institucioni, shtesa do të shkojë si mbështetje për fermerët për ndërtimin e serave të reja,  po ashtu për herë të parë do ti kushtohet vëmendje ndërtimit të rrjetave antibreshër, pasi “pabesitë” e motit në kulmin e prodhimit kanë sjellë dëme të mëdha për prodhuesit. Nga ana tjetër, fondi parashikohet të kanalizohet në ndërtimin e stallave për bagëtitë. Para pak kohësh Ministria e Bujqësisë  miratoi një udhëzim për ndërtimin e sallave sipas standardeve të duhura, ku dhe ishte parashikuar mbështetje për këtë kategori.

Po ashtu do ti jepet rëndësi shtimit dhe përmirësimit të ujitjes dhe kullimit, si një zë shumë i rëndësishëm për të garantuar rritjen e prodhimit dhe cilësinë e tij. Në sektorin e peshkimit fondet do të kanalizohen për rrjetat, me qëllim rritjen e zënieve në det.

Sektori i bujqësisë në "rënie të lirë" 

Të dhënat zyrtare të INSTAT referuan se bujqësia shënoi rënie me 0.68% në vitin 2023, më e forta që nga viti 1997.

Tendenca rënëse filloi që nga viti 2013. Në 10 vitet e fundit, bujqësia është rritur mesatarisht 1%, teksa rezultati është dobësuar tre vitet e fundit për t’u kthyer negativ më 2023.

Nga ana tjetër sasitë e ushqimeve të importuara u rritën më tej në muajin korrik për shkak të nxitjes nga turizmi në njërën anë dhe kufizimeve nga prodhimi vendas në anën tjetër.

Sipas të dhënave të INSTAT importet në sasi të ushqimeve u rritën me 22 për qind në 7 mujor, në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë. Tendenca u forcua më tej në muajin korrik pasi në 6 -mujor rritja vjetore ishte 20 %.

Në vlerë importet e ushqimeve u rriten me 9.2 për qind si rrjedhojë e uljes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Të dhëna më të detajuara të INSTAT tregojnë se rritjen më të madhe në vlerë e kishin importet e zarzavateve dhe kafshëve të gjalla, të cilat kryesuan grupin e importeve të ushqimeve me përkatësisht 57 dhe 45.5% secila.

 

Video