Zhvlerësimi i monedhës europiane në raport me monedhën vendase shënoi rekorde në muajin Gusht. Ajo u konvertua me më pak se 100 lekë, duke e mbyllur muajin me 99.65 lekë, pranë nivelit më të ulët historik.
Po çfarë ka ndodhur me Euron? Specialistë të fushës shprehen se Euro mund të vijojë më tej zhvlerësimin. Edhe pse muaji Gusht konsiderohej si pika e fundit e rënies së monedhës europiane, për shkak të sezonit turistik, gjasat janë që kjo tendencë të vijojë më tej.
Vetëm një ditë më parë u konfirmua nga Banka Qendrore se paraja që qarkullon jashtë bankave në Shqipëri ka vijuar tendencën rritëse edhe gjatë muajit Korrik të këtij viti dhe ka regjistruar një nivel rekord. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë korporatave depozituese ka arritur në rreth 402.6 miliardë lekë, apo rreth 4 miliardë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Ky është një tregues i qartë që rënia e euros nuk vjen si shkak i turizmit apo remitancave, por për shkak të qarkullimit të parasë jashtë sistemit bankar dhe ekonomisë informale.
Gjatë këtij viti, me objektivin e rritjes së rezervës valutore, Banka Qendrore synon të blejë përmes ankandeve mes 250-330 milionë euro, por nëse vërehen situata anormale në treg, ky institucion mund të ndërhyjë për të stabilizuar kursin e këmbimit të lekut me valutat kryesore, sidomos me euron.
Leku është forcuar edhe përballë monedhave të tjera kryesore, pjesërisht, për shkak të dobësimit të euros, që është valuta referuese në përcaktimin e kursit të lekut me monedhat e tjera. Referuar të dhënave historike, zakonisht euro ka një tendencë në rritje pas muajit shtator, për shkak të rënies së prurjeve në valutë të huaj në ekonominë tonë. Por rivlerësimi i pronave, sipas ekspertëve mund të sjellë një zhvlerësim të mëtejshëm të Euros.
Sa e dëmton rënia e Euros ekonominë?
Eksportet janë sektori më i goditur i ekonomisë nga zhvlerësimi i Euros. Po kështu këto zhvillime të kursit të këmbimit, sipas ekspertëve kanë një efekt negativ edhe mbi vetë sektorin e turizmit për shkak se të gjithë operatorët që kanë kontratat të mëparshme të lidhura me euro, fuqia blerëse e kësaj monedhe është e ulët. Por në vlerësim më të gjerë impakti negativ shkon përtej eksporteve sepse e gjithë industria e brendshme prodhuese që konkurron me sektorin e importit është në një presion të jashtëzakonshëm konkurencial për shkak se importet mund të vijnë në tregun e brendshëm me një çmim shumë herë më konkurrues se prodhimi vendas./ VoxNews