Shëndetësia “tkurret” më tej, shkurtohen fondet me 3 milionë euro

31 Gusht 2024, 09:36Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ndryshimet në buxhet për vitin 2024, nëse për rrugët vendosi pjesën më të madhe të rritjes së fondeve, krejt e kundërta ka ndodhur me shëndetësinë.

Sipas ndryshimeve të fundit të publikuara në Fletoren Zyrtare buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë u tkurr me rreth 3 milionë euro, por fondet për shërbimin parësor u tkurren me rreth 5,6 milionë euro, teksa u rriten financimet për planifikim dhe administrim me 660 mijë euro.

Ishte vetë dje kryeministri Edi Rama që mori pjesë në inaugurimin e qendrës për trajtimin ditor të sëmundjeve kronike pranë QSUNT, duke e cilësuar atë si një mundësi të madhe për këta të sëmurë. Por nëse godina është e re, buxheti flet krejt të kundërtën në mundësinë për tu trajtuar.

Të dhënat mbi treguesit e shëndetit referojnë se sëmundjet kronike janë duke u rritur me shpejtësi, teksa fondet për rimbursimin e medikamenteve nuk po rezultojnë të mjaftueshme.

Në mes të vitit 2023, qeveria e rriti buxhetin për rimbursimin e medikamenteve në 12 miliardë lekë nga 11,4 miliardë lekë, që ishte në fillim të vitit, por as këto nuk ishin të mjaftueshme dhe janë gjeneruar detyrime të prapambetura.

Në fund të vitit 2023, nga listë-treguesit e pranuar për rimbursimin e barnave dhe pajisjeve mbetën papaguar rreth 796 milionë lekë. Krahasuar me vitin e mëparshëm, detyrimet e fundit të vitit u rritën me 5.8%, ose për vlerën 673 milionë lekë, deklaron FSDKSH.

Plakja e popullsisë është duke rritur sëmundjet kronike dhe gjithashtu po shtron nevojën për financime më të mëdha në shëndetësi.

Sipas të dhënave zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm, sëmundjet kronike rritën shpenzimet e rimbursimit me 227.7 milionë, rreth 6% lekë më shumë se viti paraardhës.

Në vitin 2023, grupi “Pensionist pa afat” shënuan rritje prej 441.1 milion lekësh më shumë se viti paraardhës ose rreth 78.2% e rritjes totale të shpenzimeve.

Sipas të dhënave zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, rritja e shpenzimeve të rimbursimit më 2023, në krahasim me një vit më parë ka ardhur për shkak të trajtimit me terapi me kosto më të lartë mjekimi për pacientët.

Në këtë shkak kanë ndikuar dhe të gjitha sëmundjet me incidencë të lartë në popullsi siç janë Diabet Mellitus, Hipertension, etj., të cilët janë ndikuar drejtpërdrejtë nga pasojat e Covid-19.

Kur këto të dhëna shqetësuese flasin për rritje të sëmundshmërisë, ndërhyrja në shkurtimin e fondeve për Shëndetësinë mbetet shqetësuese dhe problematike. Në të vërtetë në rrjedhën historike të rishikimeve të buxheteve gjatë viteve, shëndetësia në shumicën e herëve është riparë më shkurtim fondesh./ VoxNews

Shëndetësia “tkurret” më tej, shkurtohen fondet me 3

Video