Fondet e investimeve vijojnë rimëkëmbjen. Sa janë asetet neto dhe numri i anëtarëve të rinj?

2 Shtator 2024, 11:56Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Fondet e investimeve kanë vijuar rritjen e qëndrueshme edhe gjatë muajit qershor të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, deri në fund të qershorit të këtij viti, vlera neto e aseteve të fondeve të investimeve arriti në rreth 53.2 miliardë lekë, me një rritje prej 2.9 miliardë lekësh ose me 5.77%, krahasuar me fillimin e vitit.

Gjithashtu, edhe numri i anëtarëve në këto fonde arriti në 34,411 nga 32,189 që ishte në fillim të vitit, ose në rritje me 6.9%. Pra, në harkun e 6 muajve në fondet e investimeve janë shtuar edhe 2,222 anëtarë. Pjesa dërrmuese e anëtarëve janë individë, ndërsa vetëm 37 janë persona juridikë.

Ashtu si fondet e pensioneve, edhe ky treg dominohet kryesisht nga investimet në obligacione qeveritare, të cilat përbëjnë 62.8% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 4.18% krahasuar me fillimin e vitit. Nëse shohim strukturën e aseteve të fondeve të investimit, bie në sy një rënie e investimeve në obligacione të shoqërive. Në fund të vitit 2023, investimet në obligacionet e shoqërive përbënin 14.95% të totalit, ndërsa në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti ky tregues ra në 9.88%.

Pavarësisht tendencës në rritje si të vlerës neto të aseteve të fondeve të investimeve ashtu edhe të numrit të anëtarëve, shifrat janë ende shumë larg niveleve rekord të regjistruara në vitin 2021. Në këtë vit, asetet arritën në rreth 77.7 miliardë lekë, ndërsa numri i anëtarëve në mbi 40 mijë. Tregu i fondeve të investimeve pësoi goditje të mëdha në vitin 2022, për shkak se inflacioni i lartë bëri që bankat qendrore të rrisin normat e interesit, që ndikuan edhe në rritjen e yield-eve në tregjet financiare.

Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre 15 fonde investimi, por që administrohen nga 6 shoqëri.

Video