Autoriteti Rrugor Shqiptar ka rishpallur kompaninë fituese që do të kryejë rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa. Me një ofertë prej 567.75 mln lekë, pa TVSH punimet në lotin 1 të rrugës do të kryhen nga bashkimi i operatorëve “ARIFAJ” dhe “EUROKOS HOLDING”, dega në Shqipëri. Tenderi, me fond limit prej rreth 755 mln lekë u hap në prill të këtij viti, por pas shpalljes së fituesit, 2 operatorë ekonomikë pjesëmarrës në garë, depozituan ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik, duke shfaqur kundërshtime për procesin e vlerësimit të ofertave. Pas shqyrtimit të ankesave, KPP kërkoi rivlerësimin për një prej operatorëve, që gjithsesi nuk ndryshon rezultatin final për kompanitë që do të kryejnë punimet.
Rikonstruksioni i rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa vjen në një kohë me punimet që do të kryhen për zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës, duke shërbyer si një alternativë për të aksesuar qytetin bregdetar dhe anasjelltas.
Edhe për autostradën është zhvilluar tenderi dhe janë shpallur kompanitë fituese, teksa zgjerimi i saj në 5 km e parë, do të kushtojë rreth 2.87 mld lekë, pa TVSH.