Në fillim të muajit Gusht mori formë ligjore nisma për prodhimin dhe tregtimin e armëve në vendin tonë. Me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare ju hap rruga kësaj industrie dhe tashmë Shqipëria ka gati dhe shoqërinë e parë shtetërore që do të merret me prodhimin dhe tregtimin e armëve. Ekzekutivi ka miratuar një fond prej 440 milionë lekësh për Ministrinë e Mbrojtjes, nga të cilat 150 milionë lekë, si kapital fillestar për shoqërinë “KAYO”, dhe 290 milionë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të ndërmarrjeve ekzistuese.
Pas KAYO, shoqërisë shtetërore që do të merret me prodhimin dhe tregtimin e armëve, Shqipëria do të ngrejë edhe një Agjenci të Industrisë së Mbrojtjes. Në Kuvend është depozituar nga qeveria projektligji “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
Agjencia e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, por që drejtorin e saj do ta zgjedhë Kryeministri do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 95 milionë lekë çdo vit.
Për prodhimin e armëve “Made in Albania”, sipas relacionit të propozimit ligjor do të ftohen edhe kompani të huaja. Për të tërhequr sa më shumë investime nga jashtë për ringjalljen e industrisë ushtarake, qeveria do të ofrojë edhe lehtësi për kompanitë.
Industria ushtarake, kompanitë që përjashtohen nga taksat
Kompanitë që do të investojnë në këtë industri, do të përjashtohen nga një sërë taksash.
Norma e tatimit mbi të ardhurat korporative për 10 vitet e para të fillimit të aktivitetit do të jetë 0%. Lehtësi të tjera fiskale përfshijnë përjashtimin nga taksat doganore për mallrat, të cilat shërbejnë drejtpërdrejt për prodhimin e armatimit ushtarak, ndërsa tjetër lehtësi është edhe shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar prej 10% për furnizimin ose shitjet e armatimit ushtarak.
Përveç lehtësive tatimore, ligji parashikon edhe ato administrative, të tilla si procedura të përshpejtuara për licencimin dhe regjistrimin e veprimtarisë.
Për këto kompani do të ketë mbështetje për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës ndihmëse, si: rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion, të cilat janë thelbësore për funksionimin e aktivitetit të subjektit, si dhe qasje në fonde dhe programe mbështetëse për kërkim dhe zhvillim në fushën e teknologjive të mbrojtjes.
Në fillim të prillit, gjatë përurimit të Qendrës së Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryeministri Edi Rama vendosi si objektiv për vitin 2030 ringjalljen e industrisë ushtarake dhe nisjen e eksportit të armëve “Made in Albania”./ VoxNews