Euro poshtë dollarit për herë të parë në 20 vjet. Edhe në Shqipëri zbret në minimumin historik

13 July 2022, 17:33Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Euro poshtë dollarit për herë të parë në 20 vjet.
Euro

Euro ka rënë nën dollarin për herë të parë në 20 vjet pasi lufta në Ukrainë e shtyn monedhën e përbashkët poshtë, shkruan BBC. Një euro u ble me 0.998 dollarë në tregun valutor në orën 12:45 GMT, me një rënie prej 0.4 % në tregtimin e ditës.

Frika se Rusia mund të kufizojë furnizimet e Evropës me energji kanë rritur shanset për recesion në zonën e euros.

Banka Qendrore Evropiane ka  mbetur prapa bankave të tjera qendrore në rritjen e normave, duke dobësuar më tej euron. Monedhat priren të rriten kur banka qendrore përkatëse rrit normat e interesit. Dollari ka pësuar rritje muajt e fundi, i nxitur nga rritja e normave të interesit nga Banka Qendrore amerikane.

Një monedhë në dobësim do t’i bëjë importet më të shtrenjta për vendet e eurozonës, veçanërisht mallrat me çmime në dollarë si nafta e papërpunuar.

Kjo mund të kontribuojë në një inflacion edhe më të lartë në eurozonë, i cili tashmë po shkon në 8.6%. Euro ka rënë pothuajse 12% kundrejt dollarit që nga fillimi i vitit.

Edhe në tregun shqiptar, euro vijoi rënien në kursin e këmbimit me Lekun edhe ditën e sotme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, Euro zbriti në minimumin e ri historik prej 117.32 Lekësh, 0.25 Lekë më pak krahasuar me ditën e martë.

Agjentët e tregut valutor besojnë se tashmë kursi i këmbimit është i ndikuar ndjeshëm nga sezoni veror dhe nga rritja e prurjeve të Euros, të lidhura me turizmin. Mbështetur në të dhënat e deritanishme, numri i turistëve të huaj këtë vit po shënon rritje të shpejtë dhe ka tejkaluar madje edhe nivelet e vitit 2019.

Pritshmëritë mjaft pozitive të operatorëve turistikë për sezonin veror duket se në mënyrë të tërthortë po konfirmohen nga oferta e lartë e Euros në treg dhe nga zhvlerësimi i monedhës europiane ndaj Lekut. Duke qenë se sezoni turistik po hyn në pikun e vet, agjentët e këmbimit besojnë se pritshmëritë afatshkurtra janë në favor të një mbiçmimi të mëtejshëm të Lekut ndaj Euros.

Forcimi i vazhdueshëm i Lekut ndaj Euros, që është edhe monedha kryesore e këmbimeve tregtare të vendit, luan një rol të konsiderueshëm në zbutjen e presioneve inflacioniste nga jashtë dhe favorizon importuesit e mallrave dhe shërbimeve, që blejnë në Euro dhe shesin në Lekë.

Të favorizuar janë edhe të gjithë subjektet që kanë detyrime në Euro dhe të ardhura në Lekë, ku përfshihet qeveria shqiptare si edhe subjektet private që kanë kredi në monedhën europiane.

Nga ana tjetër, ata që humbasin nga nënçmimi i Euros ndaj Lekut janë kryesisht eksportuesit e mallrave dhe të shërbimeve. Në veçanti, rënia e Euros mund të jetë një problem i madh për sektorin e fasonerisë, që e mbështet konkurrueshmërinë e në koston e lirë të shërbimeve të përpunimit aktiv që ofron.


Video