Pasuria e personit më të pasur në botë, Elon Musk i Tesla-s, u tkurr me 14.2 miliardë dollarë të enjten, pasi aksionet e kompanisë së prodhimit të automjeteve elektrike ranë 8.5 për qind. Çuditërisht, miliarderi që me postimet e veta në Tëitter rrit, ose fundos aksione, këtë herë heshti.
Dy faktorë kryesorë i ulën aksionet, thanë analistët: Lajmet se Tesla ka rritur çmimet për të gjitha makinat e saj dhe komentet se industria e automobilave po përgatitet për një recesion dhe rënie të shitjeve të makinave.
Rënia e aksioneve të enjten erdhi pasi si Ford ashtu edhe General Motors shprehën shqetësime për një recesion të automobilave, duke i bërë jehonë "ndjenjës super të keqe" për ekonominë që Musk shprehu në një email të zbuluar në Reuters më 3 qershor, duke e shtyrë atë të mendonte për të shkarkuar 10 për qind të punonjësve të Tesla-s.
Analisti i CFRA, Garrett Nelson thotë se ka arsye për shqetësim pasi shitjet e automjeteve të reja kohët e fundit kanë rënë në nivele të dëshpëruara, me normën vjetore të rregulluar sezonalisht të majit në vetëm 12.7 milionë njësi, 25 për qind më pak se një vit më parë.
Duke iu referuar një raporti të Reuters të enjten se Tesla ka "rritur çmimet për të gjitha modelet e veturave të saj në Shtetet e Bashkuara në përgjigje të problemeve të vazhdueshme globale të zinxhirit të furnizimit dhe rritjes së kostove të lëndëve të para", analistët parashikojnë që edhe kompanitë e tjera do të duhet të bëjnë të njëjtën gjë dhe pyetja për të gjithë investitorët do të jetë nëse konsumatorët pranojnë apo tërhiqen.