Schröder, si paqeruajtës për Ballkanin

12 Gusht 2022, 19:56Pikëpamje SHKRUAR NGA GERTA BANUSHI
Gerhard Schröder

Ish-Kancelari gjerman Gerhard Schröder ka paditur parlamentin gjerman, pasi ky i fundit i ka hequr privilegjet, për shkak të afërsisë së tij me presidentin rus Vladimir Putin. Gerhard Schröder ka qenë kancelar i Gjermanisë në vitet 1998-2005 dhe sot është një nga politikanët më të përfolur në Gjermani e në botë, pas lidhjeve të tij të ngushta me Putinin dhe qëndrimet e tij proruse mbi luftën në Ukrainë.

Por pasardhësi i tij, kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz u pyet nga gazetarët ditën e enjte në konferencë për shtyp, nëse ish-kreu i Qeverisë Gjermane Gerhard Schröder mund të jetë i dobishëm si ndërmjetës me regjimin rus, qoftë për ndalimin e sulmeve në Ukrainë apo furnizimet me gaz, përgjigjja e tij ishte: “Nuk e di”. Arsyen e vërtetë nëse Schröder do të ishte i vlefshëm si një ndërmjetës mes Perëndimit dhe Rusisë e di vetëm qeveria gjermane, por gjasat janë të pakta. Ndoshta Gjermania do ta përdorë Schröderin si një gur të fundit, në rast se gjërat përkeqësohen edhe më shumë, të paktën publikisht.

“Miku i Putin” nëse sot i drejtohet Bundestagut gjerman me një padi, dikur, në 17 prill 1999 i është drejtuar Parlamentit Gjerman me fjalët: “Ne duam të përfundojë katastrofa humanitare dhe shkelja e rëndë dhe sistematike e të drejtave të njeriut sa më shpejt. Ne duam të arrijmë një zgjidhje të paqtë politike për Kosovën”. Ky fjalim do të hapte rrugën e forcave të NATO-s për ti dhënë fund njëherë e mirë luftës së Kosovës. Kontributi i Gjermanisë në ato vite ishte i pazëvendësueshëm. Po atë vit ish-Kancelari Schröder u takua në Bon të Gjermanisë me ish-kryeministrin shqiptar Pandeli Majko, ku premtoi se do të ndihmonte edhe Shqipërinë. Schröder është takuar pas asaj dite edhe me Ilir Metën edhe me Edi Ramën, ku ka përcjellë vazhdimisht mesazhe për stabilitet në rajon dhe integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Europian. Schröder përshëndeti së fundmi dhe çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në ditët e nxehta të kësaj vere tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës duken gjithnjë e më shumë se janë një derivat i luftës Rusi-Ukrainë. Ballkani ka nevojë për stabilitet, paqe dhe siguri të palëkundur dhe jo për Putin dhe Zelenski në miniaturë.

Nëse për kancelarin gjerman Olaf Scholz është tejet e vështirë të përdorë “të paprivilegjuarin” Schröder si lobues për gazin rus, për politikën në Kosovë dhe për Tiranën zyrtare mbetet një vendim për t’u konsideruar. Ashtu si veproi kur drejtoi qeverinë gjermane në vitin e vështirë 1999, të shërbejë si një paqeruajtës në këtë rajonin tonë të Ballkanit, ku fitili i barutit ndizet lehtë. Shumë negociatorë e kryenegociatorë nga SHBA-të dhe BE-ja nuk po arrijnë marrëveshje të frutshme Prishtinë-Beograd. Plagët e luftës së Kosovës janë tejet të freskëta, një konflikt tjetër do të ishte i patolerueshëm.

Schröder mund të ketë një ndikim të madh në Kremlin, nëse jo për gazin rus dhe pushtimin e Ukrainës, le të mbahet mend si një burrë shteti që i dha kontribut të vyer duke përfunduar luftën e Kosovës në 1999 dhe si politikani që nuk lejoi një konflikt të ri dhe trazira në Ballkan, duke lobuar në radhë të parë me kancelaritë e Tiranës, Prishtinës, Sarajevës dhe Beogradit dhe privilegjet e humbura në Berlin do të mund t’i fitojë në Ballkan.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video