Partia Socialiste dhe ‘Kajmaku’ i hidhur i Rilindjes

12 June 2022, 21:49Pikëpamje SHKRUAR NGA VOX NEWS
Partia Socialiste dhe ‘Kajmaku’ i hidhur i Rilindjes
Edi Rama dhe Agim Kajmaku

SHËNIM: 12 qershori i këtij viti shënon 31 vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste. 31 vjet më parë, një brez i ri socialistësh, e morën seriozisht rithemelimin, në një Kuvend dy ditorë, ku Dritëro Agolli, guxoi të denonconte dhe Enver Hoxhën, mes britmave mallkimeve dhe fyerjeve si “Besëprerë”.

Pas një beteje dy ditore, ish komunistët shqiptarë dhe Byroja Politike, u tërhoqën tërësisht nga jeta politike shqiptare dhe një brez i ri socialistësh me Fatos Nanon në krye, krijuan një ekip të ri, shumica e të cilëve ishin profesorë, pedagogë apo personalitete të Shqipërisë, studiuar pjesërisht edhe jashtë vendit.

Asnjëherë ndonjë parti politike në Shqipëri, nuk ka bërë kujdes t’i besonte fatin e saj, një brezi intelektualësh të rinj, si Partia Socialiste në vitin 1991. Ajo arriti të ruaj kohezionin me brezin e vjetër të komunistëve shqiptarë, përfshi dhe enveristët e zemëruar, në emër të ndryshimit dhe konkurrencës së re.

Gjithë elita politike e vjetër e komunizmit shkoi në shtëpi, dhe Ramiz Alia pas një viti, nuk kishte më asnjë rol në historinë e Shqipërisë dhe aq më pak të socialistëve.

2 dekadat e para socialistët patën dy tablo, e para ishte në vitet ’90 ku vuajtën dhunën e Berishës dhe e dyta me marrjen e pushtetit dhe qeverisjen e vendit. 10 vitet e fundit, Partia Socialiste duket se ka pësuar një transformim rrënjësor për keq. Rreth kësaj kohe partisë që drejtohet nga Edi Rama, nuk i është afruar më asnjë profesor, apo intelektual i spikatur, por vendin e zunë biznesmenë dhe apo persona me rekorde kriminale të theksuara.

Fillimisht u duk si një rastësi kur bashkiakë apo deputetë humbën mandatet, sepse kishin dënime që nga droga, vrasje apo prostitucion. Jo më larg se dje një ish-kryebashkiak siç është Agim Kajmaku i Vorës u kap në Itali më kokainë.

Në pamje të parë duket si një ngjarje pa lidhje me PS, por kur shumë figura të Rilindjes po dalin të inkriminuar nuk mund të kalojë më si një ngjarje rastësore. Nëse në fillim të vitet ’90 ajka e PS ishin profesorët dhe intelektualët tashmë “kajmaku” i partisë janë Kajmaku i Vorës, Roshi i Kavajës, Ndoka apo Prenga të Lezhës etj.

Kjo nuk është e vetmja e keqe e PS, që tashmë e quajnë Rilindje. U bë shumë kohë që socialistët janë të zhgënjyer nga partia e tyre. Njerëzit që përfitojnë prej saj janë disa individë që janë të lidhur me kryetarin, ndërsa korrupsioni është rritur në shifra të frikshme.

Tashmë Partia Socialiste edhe pse mburren se është më e madhja në vend, është në një situatë që i sjellë vetëm dëme vendit.

Lidershipi autoritar i Edi Ramës, vërtet i ka shërbyer atij që të marrë të gjithë pushtetet, por vendit i ka sjellë vetëm dëme. Demokracia ka bërë hapa pas, dhe njerëzit janë më të varfër dhe më ta palumtur. Me këdo që flet, fjalia e parë është që të thotë është : “Ky vend është bërë i pajetueshëm, duhet ikur jashtë”.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video