Në respekt te nenit 78 të Kushtetutës “Për zgjedhjen e një anëtari të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit” do ishte e drejtë që grupet kryesore në parlament të kishin dakordësi për propozimet.
Në veçanti do ishte mirë që kandidaturat të paraqiteshin nga një grup deputetësh që përfaqësojnë shtresën e të përndjekurve politik!
Po si gjithçka dhe kjo nuk u bë e mundur.
Disa seanca më parë u zhvillua këtu, një nga debatet më të padenja për shtresën e të persekutuarve politik!
Meqenëse nuk m’u dha fjala atë ditë, sot kam rastin t’i them kryeministrit: Nëse e ke të vështirë të kuptosh Shkodrën pse nuk ta jep votwn, pse është vendosur e pa kompromis në raport me të shkuarën antikomuniste, pse Partia Demokratike është mazhorancë dhe Ju jeni në minorancë në Shkodër, po jap këto përgjigje:
Në Shkodër gjatë diktaturës u hapen 13 burgje.
Në një qytet që shquhej për kulturën, hapje e tyre ishte një gjë shumë e rëndë dhe e shëmtuar!
U kthyen në burgje politike shtëpi banimi, kuvendi françeskan, kinemaja, teatri dhe shumë objekte të tjera kulturore dhe të besimit!
Shkodra ka pasur rreth 3000 të burgosur politik, rreth 2000 të internuar politike, 601 të pushkatuar politik, 140 të vdekur ndër burgje.
Kujtoj që disa prej tyre nuk u janë gjetur ende eshtrat dhe familjarët vazhdojnë ti kërkojnë edhe sot !
Shkodra nuk harron se deputetët e parë në parlamentin e 1991 që diskutonin për projektligjin për amnistinë e të burgosurve në diktaturë ishin drejtuesit e atij regjimi duke nisur nga ish sekretari i parë, ish kryeministri që ishin bërë deputetë në hapat e parë të demokracisë!
Ironia ishte që ata nxitonin të mbronin projektligjin, por në fakt e bënin për të shfajësuar veten!
Ndaj mendoj që debate të tilla duhet të jenë të kujdesshme, se fjalori nuk mund të jetë qesim,
e se respekti nuk mund të jetë fasadë!
Sot shumë familje të Shkodres ende nuk kanë marrë dëmshpërblimin financiar që i takon si të përndjekur politik!
Dhe prandaj Shkodrën, nuk mund të guxoj kush ta fyej meqë nuk i jep votën!
Investimet dhe kujdesi për të zhvilluar kryeqëndrën e veriut është detyrim i çdo qeverie dhe përgjegjësi e çdo kryeministri pa asnjë diskutim!
Në fund po citoj një thënie po në këtë sallë në seancën e 3 korrikut 1991:
“Në qoftë se ka njeri që ka të drejtë të ankohet, jam unë një nga ata. Megjithatë unë asnjëherë s’e kam hapur gojën të flas për vuajtjet e mia dhe asnjëherë as kam sharë, as kam fyer njeri "
Ky ishte Mandela i Shqipërisë
Pjetër Arbnori!
*Greta Bardeli Gjoni është deputete e Qarkut Shkodër