Në ditën e dytë të Samitit të Diasporës, kryeministri Edi Rama iu drejtua shqiptarëve që kanë ndërtuar jetën jashtë vendit me mesazhe për guximin, forcën dhe sakrifica. Ai theksoi se ata kanë arritur të ndërtojnë karriera dhe të fitojnë respekt, duke mposhtur stereotipet dhe duke dëshmuar me punë vendin që meritojnë në shoqëritë ku jetojnë. Një vlerësim i qartë për suksesin individual të diasporës, i shoqëruar me një nëntekst po aq të qartë: Shqipëria është gati për t’i mirëpritur.
Por pikërisht këtu nis tensioni mes mesazhit dhe realitetit. Ato që u përshkruan si histori suksesi jashtë vendit janë në fakt, produkt i një mungese mundësish brenda vendit që kryeministri e dizenjon si vend me standarde tashmë. Janë pikërisht më të kualifikuarit, më të aftët dhe më me iniciativë që kanë zgjedhur të largohen, jo sepse nuk besojnë te vendi i tyre, por sepse nuk kanë gjetur hapësirë reale për zhvillim profesional as për veten dhe as për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Rritja e emigracionit në këtë kategori nuk është rastësi, por tregues i një hendeku të qëndrueshëm mes narrativës qeverisëse dhe përvojës së hidhur të këtij komuniteti.
Ky hendek mes propagandës qeverisëse për llogari elektorale dhe realiteti shpalos paradoksin e parë. Një diskurs që vlerëson suksesin e diasporës, por që anashkalon arsyet pse ky sukses është ndërtuar jashtë dhe jo brenda. Një ftesë për rikthim që nuk adreson kushtet që prodhuan largimin por thjeshtë theksohet ftesa për tu kthyer. Mirëpo, problemi nuk është mungesa e fjalëve pozitive, por mungesa e përputhjes mes tyre dhe realitetit.
Paradoksi i dytë është edhe më i thellë. Në sallë pati një solidaritet të hapur me të vërtetën e hidhur që u artikulua nga një prej pjesëmarrëseve. I njëjti reagim u reflektua edhe në rrjetet sociale. Një solidaritet i publikut me zonjën në sallë duke evidentuar qartë dallimin mes asaj që thuhet dhe asaj që përjetohet në jetën e përditshme. Megjithatë, ky solidaritet nuk përkthehet në votë proteste. Përkundrazi, në zgjedhjet e 11 majit 2025, një pjesë e konsiderueshme e diasporës prodhoi një votë mbështetëse për qeverinë. Pra, e njëjta diasporë që identifikohet me kritikën, në momentin elektoral legjitimon objektin e asaj që kritikon dhe e ka shtyrë të ndërtojë një karrierë në një vend larg Shqipërisë. Pikërisht në këtë hapësirë, propaganda vazhdon të funksionojë jo sepse besohet plotësisht, por sepse nuk sfidohet realisht.
Në këtë kuptim, problemi nuk është vetëm politik, por edhe strukturor. Kur zgjedhja elektorale shkëputet nga përvoja reale, sistemi fiton një lloj imuniteti ndaj kritikës. Ai mund të prodhojë pakënaqësi pa rrezikuar pushtetin. Kjo është ndoshta forma më e qëndrueshme e status quo-së, jo ajo që mbështetet te bindja, por ajo që mbijeton përmes një kombinimi zhgënjimi, mungese alternative dhe përshtatjeje me të njëjtin realitet që kritikohet.
Në fund, pyetja nuk është nëse diaspora e kupton realitetin pasi ajo e njeh shumë mirë por pse ky kuptim nuk shndërrohet në qëndrim. Pasi kur një shoqëri arrin të bashkëjetojë njëkohësisht me largimin e më të mirëve dhe me legjitimimin e kushteve që i largojnë, problemi nuk është më te propaganda, por te normalizimi i saj. Dhe ky është ndoshta alarmi më serioz: jo që njerëzit ikin, por që arsyeja pse ikin nuk ndryshon.