Meta mbrohet si bashkëpunëtor Sigurimi, Berisha mbrohet si antiamerikan 

19 Gusht 2022, 18:36Pikëpamje SHKRUAR NGA MERO BAZE
Mero Baze

Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë reaguar sot ndarazi, por njësoj, kundër një projektligji për integritetin e zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve politik të vendit, që pritet të plotësohet në Shtator, lidhur me përjashtimin nga jeta parlamentare dhe nga karriera shtetërore e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhe konsiderimi i personave “a non grata”, i njëvleftshëm me personat që deportohen apo u ndalohet hyrja në vendet perëndimore siç e ka aktualisht ligji i dekriminalizimit.

Të dy kërcënojnë edhe pse ligji nuk është vetëm për ata. Sa i përket personave “a non grata” sot në Shqipëri është një listë që së bashku me familjarët e tyre i kalon 40 vetët, po të llogarisësh dhe këta të Britanisë së Madhe, ndërsa sa i takon bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit sipas statistikave ata kanë qenë rreth 300 mijë kështu që nuk është një ligj që personalizohet për Ilir Metën.

Ajo që është interesante këtu është se reagimi i Ilir Metës, është pranim i pastër i të qenit bashkëpunëtor i Sigurimit Shtetit, pasi ai po reagon dhe po mbrohet si bashkëpunëtor sigurimi dhe jo si njeri i lirë. Në gjithë deklaratën e tij agresive sot, kundër Edi Ramës, Ilir Meta nuk mbrohet sic mund të mbrohej një njeri i pastër, pra që të deklaronte se këto janë shpifje të Edi Ramës, unë shkoj e hap vet dosjen time dhe nuk keni çfarë më bëni. Përkundrazi ai reagon si njeri i kapur mat, duke kërcënuar se po e përjashtuan si bashkëpunëtorë sigurimi “do ti thyej në mes” dhe do tua fus ligjet në b...fjalor ky që në atë kohë i shkonte dhe shkollës së riedukimit.

Pra gjithë mënyra se si mbrohet Ilir Meta nga paralajmërimi për ligjin tregon se ai e ka pranuar dhe vet tani që është bashkëpunëtor sigurimi dhe do të mbrohet si i tillë.

Ndryshe nga ai, Sali Berisha po kërkon të mbrohet si hero antiamerikan. I qartë se ai do të ndalohet nga jeta politike bashkë me gjithë listën e personave “a non grata”, që kanë shpallur nga SHBA dhe Britania e Madhe, ai premton se kjo do ti rris mbështetjen në popull, duke e konsideruar popullin shqiptar një popull antiperëndimor që heronjtë e tij janë ata që luftojnë kundër SHBA dhe Britanisë së Madhe.

Edhe ky njësoj si Ilir Meta e shoqëron kërcënimin e tij me dhunë. Dhe kjo ka gjasa të jetë gjëja më e mirë që mund të ndodh në Shtator. Që këta të dy të mos i kap vetëm ligji i dekriminalizimit, por dhe Kodi Penal.

Video