LSI-ja e re dhe Ilir Meta si portale gjobëvënëse

19 Gusht 2022, 15:03Pikëpamje SHKRUAR NGA SHËNIM
Ilir Meta me drejtues te PL

Shënim: LSI-ja e re (allias PL) dhe Ilir Meta në krye, në betejat politike, mund të ngrejë çdo lloj flamuri, por janë të pabesueshëm kur tundin atë të anti-korrupsionit.

Ai dhe partia e tij kanë qenë pjesë e pandarë e sistemit dhe qeverisjes së vendit. Nëse korrupsioni ka qenë stigmë dalluese si për socialistët dhe demokratët, Ilir Meta nuk mundet ta distancojë dot veten.

Ai është mbajtësi në këmbë i modeleve dhe ka përfituar prej tyre një karrierë që pak kush e ka pasur.

Nëse sot ka një pellg të madh korrupsioni, Ilir Meta dhe partia e tij politike e kanë humbur të drejtën të pretendojnë se nuk janë bërë pis edhe sikur të hamendësonim në një moment se ai nuk ka qenë pjesë e krijimtarisë.

Përkundrazi Ilir Meta ka futur brenda këtij sistemi modelin e tij që kërkonte favore në këmbim të votës. Në mos përgjegjësi penale, të cilës ai i është përvjedhur, Meta ka përgjegjësi politike për një sistem korruptiv kaq të gjerë dhe të thellë.

Beteja e tij e re politike pasi zbriti nga presidenca, me temë antikorrupsion së paku duhej të paraprihej nga një proces katharsisi që të mund t’i rriste kredencialet e besimit tek publiku.

Por me padurimin që shkakton humbja e pushtetit ai vijoi betejën e turpshme që kishte nisur që në presidencë duke ju shmangur këtij procesi që kërkon së pari ndërgjegje politike.

Publiku shqiptarë e mban ende mend shumë mirë kur e pa me zë dhe figurë se si në zyrat e shtetit Ilir Meta bënte pazare parash. Por ai nuk mbajti as nuk mban asnjë grimë përgjegjësie. Përkundrazi luftoi për t’ju shmangur duke shkaktuar nën përgjegjësinë e tij politike edhe viktima që në 21 janar protestuan nën thirrjen e opozitës socialiste kundër atij modeli qeverisës skandaloz korruptiv.

Ilir Meta atëherë nën mbrojtjen e koracës antiplumb të Berishës kryeministër i quajti protestuesit horra dhe banditë.

Por tani këta horra dhe banditë i duhen dhe po i thërret rreth tij më të njëjtin kartë antikorrupison për të cilën disa prej tyre u vranë dikur.

Meta dhe partia e tij kanë nisur një taktike politike për të denoncuar sipas tyre çdo rast korrupsioni. I njëjti Ilir Metë dhe e njëjta parti, më emra të ndryshëm tani, që dikur thanë se fakti korruptiv i vërtetuar me audio dhe video ishte montuar kur media që e publikoi atëherë gëzonte standard të lartë besueshmërie dhe përgjegjësi publike në vend, sot nuk lë pa mbledhur çdo lloj postimi online, çdo lloj shfryrje inatçore, zhbiron skutat më të zeza të forumeve gjobëvënëse që nuk kanë as një standard etike, dhe besueshmëri për të mbështetur kauzën e antikorrupsionit.

Dikur një video të publikuar në median kombëtare me standarde të larta besueshmërie, Meta e quajti të manipuluar dhe publikun protestues horr, sot ai përdor ‘mediat” gjobëvënëse online dhe kërkon të njëjtin publik horr ta mbështesë.

Kjo është dyfytyrësi politike që e ka profilin e njohur.

Të njëjtën gjë bën edhe ortaku i tij politik Sali Berisha, i shterrur dhe i padëshiruar, cili nuk lë trill të mendjes së profileve anonim pa publikuar aq sa së fundi edhe vrasësin me pagesë Nuredin Dumani, i burgosur, e denoncoi se po bënte pushime në plazh të Golemit.

Qeverisja e socialistëve ka ofruar fakte, prova por edhe dënime për korrupsion domethënës dhe flagrante. Si Meta dhe Berisha kanë të gjitha mundësitë të angazhojnë mekanizma serioz, të qëndrueshëm dhe të besueshëm jo vetëm për të denoncuar korrupsionin por për të bërë të mundur edhe gjyqësinë ndaj tij.

Por deri tani LSI e re sillet si portalet gjobvënëse të cilat e kanë të lidhur ekzistencën e tyre duke tregtuar heshtje në këmbim të parave apo paçavure mediatike në formë ndëshkimi, por jo mbi kriterin e të vërtetës për t’i shërbyer të mirës publike. Kjo na shtyn të besojmë se janë i njëjti model./Gazeta SI

Video