Mediakracia ose Demokracia e Re

19 Maj 2024, 17:00Pikëpamje SHKRUAR NGA ALADIN STAFA

Nga Aladin Stafa

Për të elaboruar rrënjët e demokracisë në ditët e sotme do të na duhej as më shumë e as me pak një makinë kohe. Për t’u kthyer pas, në shek. e 5-të p.k.

Atje ku gjithcka nisi. Drejt një civilizimi që nuk rrresht kurrë së na mësuari. Është ai klasiku që sot njerëzimi i rikthehet herë pas here.

Athina e lashtë.

Për shumicen prej nesh është e vështire të perfytyrojmë rrethanat dhe arsyet se përse mendjet e ndritura të antikitetit grek u bënë bashkë për të formësuar një sistem politik i cili jo vetëm do t‘i mbijetonte asaj kohe por do të vazhdonte të ishte një frymëzim dhe aspiratë e njerëzimit për shumë shekuj më pas.

Deri në epokën tonë. Atë të mijëvjecarit të ri.

Demokracia, një sistem nga populli, prej popullit dhe i popullit do të konsiderohej si një modus vivendi i kohës për të sheshuar problemet dhe krizat sociale, konfliktet mes klasave, implementimin e ligjeve dhe krijimin e një imazhi që më në fund tashmë populli mund t‘i zgjidhte vetë përfaqsuesit e tij. Në mendjen e një greku kjo shkonte edhe më përtej.

Dinakëria për ta bërë sovranin të besonte duke e bërë pjesë të lojës me qëllimin ruajtjen e rendit, sigurisë dhe stabilitetit në vend.

Por cfarë është populli në vetvete? A ekziston realisht termi ‘popull’?

Për liderët e një qeverie termi popull mund të përdoret më së shumti si një komardare shpëtimi, duke besuar fort se ata do bënin gjithcka për interesat e tyre. Do të bëheshin njësh me ta e se madje vetë ekzistenca e tyre do të varej pikërisht nga sovrani.

Por a është kjo e vërteta?

Populli ky term abstrakt, nuk duket të jetë tejet real sepse janë pikërisht individët e caktuar ata, të cilët me influencën, pushtetin, egon dhe paranë drejtojne masat/turmën/ popullin.

E ishte pikërisht kjo qasje filozofike e Aristotelit, një kundërshtar i oligarkisë, që nxiti këtë pikpamje të merrte jetë, kur citonte se qeveria duhej të drejtohej më mirë nga njerëz që kishin mundësinë për ta ushtruar atë. Pra, kur e dëgjonin popullin dhe shqetësimet e tij, pavarësisht propagandës apo demagogjisë si rreziqe që lindnin më pas.

Po si përkthehet kjo filozofi në ditët e sotme?

Sot ne po ballafaqohemi me një sistem të ri demokratik pas ndeshjes së disa sistemeve njëherësh në të gjithë botën që prej Luftës së Dytë Botërore. Demokracia, ajo moderne, liberale dhe ajo neo-liberale e shumë të tjera me radhë, ashtu si koha po i sjell në të vërtetë.

Është kjo arsyeja pse qasja e liderëve ndaj popullit ka pësuar ndryshime të mëdha. Për të bërë të mundur përcimin e mesazheve të tyre dhe rritjen e influencës në vecanti, bashkëpunimi me median ka nisur herët dhe në këtë etapë të fundme duket se ky binom ka prekur nivelet më të larta, ku një peshë kyesore ka marrë imazhi.

Në botë e shohim cdo ditë.

Në Shqipëri po ashtu. Kryeministri ynë Edi Rama është mjeshtri shfaqjes së një politike krejt afër me këtë filozofi të Aristotelit që në gjuhën e sotme quhet mediakraci.

Mënyra e qasjes në publik dhe obsesioni për t’u ulur në nivelin populist është sot një fenomen në strategjitë e komunikimit.

Demokracia duket sikur është shkëputur nga tryezat parlamentare dhe kuvendi i ri është ai mediatik. Ndaj sot po flasim për një term të ri, pikërisht mediakracinë.

Logjikisht media ka fituar pikë me fuqinë e dhënë si pushtet i katërt.

Por duket se teknologjia e ka shtyrë fort të ecë më shpejt se pushtetet e tjerë.

Cfarë po ndodh? Duket ka nisur një sendërtim mes politikës dhe teknologjisë, të cilat të dyja bashkë po luajnë jo vetëm rolin e përcuesit por edhe atë të vendimmarrësit.

E ndërsa gjithcka evolon e përpunohet, për brezat e rinj duket se mediakracia do të jetë në të ardhmen e vetmja formë e demokracisë me të cilën ata do të ndeshen. Duke i ikur realitetit dhe mesazhit të përftuar e duke lënë pas imagjinatën dhe fotografinë, e cila mbetet e largët.

Megjithëse, historia na ka përplasur me mutacione të ndryshme që kanë rrjedhur prej demokracisë së parë që nga antikiteti, herë me ngjyra e herë bardh e zi, në thelb ajo mbetet e njëjtë.

Pavarësisht cdo ngjarje, cdo zhvillimi, cdo revolucioni, cdo casti apo cdo dite historike, jeta përsërit vetveten.

Sepse në fund nuk ka asgjë të re nën këtë diell.

Video