
Ky jam unë në vitet '90 në plazhin e Golemit. Nuk kishte shezlongje, nuk kishte as restorante. Vetëm pisha të larta, rërë dhe ujë i pastër, kristal.
Në atë kohë vendi ishte ende i varfër, por kishim optimizmin e atyre që sapo kanë dalë nga një regjim brutal.
Shqipëria kishte një farë progresi ekonomik, një ndjesi lirie dhe një shprese që gjerat do bëheshin më mirë.
Në verë nuk kishim para për të shkuar me pushime, por mund të përballonim plazhin ditor.
Bashkë me fëmijët e tjerë të lagjes dhe disa prindër, merrnim autobusin e plazhit, i cili për një ose dy orë na çonte deri tek 'plepat në Golem'.
Autobusi vinte tek Rruga Ali Demi në orën 6 të mëngjesit. Ne dilnim në 5.30, blinim simite tek furra e bukës (ose 'buke lepurushi' siç i quanim në atë moshë) dhe para se të vinte autobusi kishim përgatitur sandëich-et që do merrnim me vete.
Simitet kushtonin 30 lek. Autobusi 200 leke vajtje-ardhje. Çadrat, topin dhe letrat i merrnim nga shtëpia. Kështu që me pak para mund ta përballonim të gjithë plazhin.
Sot, 30 vite më vonë, plazhet shqiptare janë bërë të papërballueshëm nga fëmijët e punëtorëve.
Përveç kostove të transportit, sot shqiptarët duhet të paguajnë nga 5, 10 apo 20 Euro vetëm për t’u shtrirë në buzë të detit. Pastaj janë të detyruar që të gjitha pijet apo ushqimet t'i blejnë me çmime stratosferike në restorantin që ka zaptuar plazhin.
Është irrituese që ne ia reklamojmë plazhet tona gjithë botës, por kemi lejuar që prej tyre të përjashtohen familjet shqiptare.
Është e trishtë që 30 vite më pas, ne kemi lejuar që këtë pasuri publike që e kemi trashëguar brez pas brezi, të mos e shijojnë dot fëmijët që po rriten në këtë vend.
E kemi mbrojtur Shqipërinë nga pushtuesit e huaj. Fatkeqësisht ka ardhur koha ta çlirojmë nga pushtuesit vendas.