Krimi i vrasjes në Shqipëri që nisi nga ’97-a!

29 Prill 2023, 10:16Pikëpamje SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Vrasjet në Shqipëri janë ende edhe rrjedhojë e anarkisë së vitit 1997. Duhet të kujtohemi se viti 1997 i solli shqiptarët që, në disa muaj, ata të jetonin pa shtet, domethënë pa forcën e ligjit.

Sipas teorisë moderne të shtetit, ajo periudhë historike ku njeriu nuk e kishte formuar ende shtetin si mbrojtës të jetës shoqërore dhe jetës individuale nëpërmjet ligjit, quhej belum omnis contro amnis – lufta e të gjithëve kundërtën të gjithëve.

Në kohët moderne, kjo quhet anarki. Gjithsesi ne duhet të kujtohemi gjithmonë se, në këtë periudhe paskomuniste që ka filluar në Shqipëri në vitin 1992, në vitin 1997, në një periudhë disa mujore, Shqipëria kaloi një situatë lufte të brendshme pa fare shtet.

Por, që e solli vrasjen si një ndodhi makabër dhe të kudondodhur. Shqipëria kishte kaluar në territorin e saj dy luftëtari Botërore, por një situatë të tillë vrastare ajo s’e kishte njohur kurrë.

Kjo kohë e vitit 1997, qe koha kur armët ishin të shpërndara në të gjithë popullsinë, kurse shoqëria befas kaloi nga një shoqëri pa vrasje, në një shoqëri që i solli vrasjet në një fenomen social të përhapur në çdo qelizë shoqërore.

Por çfarë ndodhi më pas?

Koha erdhi dhe e solli sërish shtetin në Shqipëri në vitin 1999, por si një shtet të dobët ama, ku vrasja dhe shteti ishin dy entitete pa lidhje me njëri-tjetrin.

Shteti është e kundërta “armiqësore” e vrasjes, kurse në vitet 1997-1999 ai shtet ishte pa funksionin e forcës së ligjit.

Por çfarë solli kjo në historinë e Shqipërisë?

Sot në Shqipëri ende nuk ka një studim kriminalogjik për historinë e krimit në periudhën 1997 e në vijim e deri sot në vitin 2023.

Mungesa e këtij studimi vjen edhe si pasojë e një rrjedhoje shumë të rënde që solli anarkia e viteve 1997-1999.

Ajo anarki që krijoi gjendjen shoqërore “lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”, nuk mund të shuhej deri në normalitet pa një periudhe inercia e cila nuk mund të zgjaste më shumë se dy vite, nëse shteti do të ishte drejtuar nga statistë dhe armiq të korrupsionit.

Kurse në Shqipëri ndodhi e kundërta: sepse inercia e krimit masiv të rrugës që u zhvillua në vitet 1997-1998, më pas, si pasojë e korrupsionit shtetëror, erdhi dhe bashkoi në Shqipëri krimin me shtetin. Dhe kjo në fakt, pas komunizmit si tirani, do të hyjë në historinë e Shqipërisë si fatkeqësia e dytë kombëtare, e cila erdhi si rrjedhojë direkte e anarkisë së vitit 1997.

Po si u bashkuan krimi, shteti dhe korrupsioni në historinë e Shqipërisë të pas vitit 1997?

Rrjedhoja e krimit të rrugës që solli anarkia e vitit 1997, shkurt mund të quhet një bashkim i krimit kundër shtetit.

Në vitin 1993, 1994 dhe vitin 1995 unë në media televizive të asaj kohe, në TVSH, por edhe në gazetat e kohës, kam shtruar pyetjen: kush do ta fitojë luftën midis krimit dhe shtetit në Shqipëri: krimi apo shteti?

Dhe këtë pyetje e ngrita sepse konstatova që qeveritë e asaj kohe ishin krejt të paafta për ta kuptuar shtetin si forcë ligjore për ndëshkimin e krimit.

Dhe, ishte pikërisht kjo dobësi e intelektit politik për shtetin, dhe dëshira presidentit të atëhershëm Sali Berisha për të qenë diktator, që sollën rënien e shtetit në vitin 1997 dhe anarkinë e periudhës që përmendëm më lart.

Por na duhet të arsyetojmë këtu me aksiomën e përgjithshme dhe primare të shtetit se, anarkia, është një fatkeqësi kombëtare që shpesh ka bashkuar krimin e organizuar, korrupsionin , dhe drejtimin politik të shtetit.

Kjo ndodh sepse, befas, gjatë një anarkie shoqërore vijnë dhe bashkohen dëshira për para dhe krimi politik, të dyja bashkë për një qëllim: të pushtojnë shtetin dhe pushtetin politik ta krijojmë jashtë procesit të votimit. Pas kësaj, votimi nuk është më instrumenti i drejtësisë në një shtet, por instrument direkt i padrejtësisë. Dhe duhet të kuptohemi se drejtësinë në një shoqëri të emancipuar e mban dhe e forcon vetëm pushteti gjyqësor i pavarur.

E gjithë kjo kohë kriminale për mbajtjen e pushtetit politik jashtë një procesi që respekton frymën e popullit nëpërmjet votës së lirë, është quajtur korrupsion i lartë shtetëror.

Dhe kjo gjendje, duke filluar nga viti 1998, erdhi dhe e sundoi Shqipërinë pa probleme të shqetësimit për të pasur frikë nga ligji, të të gjithë deputetëve, ministrave dhe kryeministrave të korruptuar, që nga viti 1998 e deri kur në pahun e kohës politike, forca e politikës amerikane, në vitin 2016, i imponoi reformën në drejtësi korrupsionit masiv dhe gjithëpërfshirës në Shqipëri. Kjo forcë e detyroi Parlamentin e korruptuar që të miratonte ligjet anti korrupsion që kapnin ata vetë.

Dhe është pikërisht ky vit që, ndonëse në ecuri deri në ditët e sotme, ende nuk e ka vendosur drejtësinë reale, të pavarur dhe vetëm ligjore, ai e krijoi të plotë legjislacionin antikorrupsion. Ky legjislacion tani e ka formuar bazën ligjore antikorrupsion në Shqipëri, por ende dhe sot nuk është formuar vullneti juridik për goditjen drastike të krimit shtetëror, sipas rendit që cakton legjislacioni i ri i pushtetit gjyqësor. Rend institucional ky që e ka marrë emrin SPAK.

Por pse po ndodh kjo? Dhe…

Kur do të vijë koha që pushteti gjyqësor në Shqipëri të zbatojë Kushtetutën e Shqipërisë të ripërtërirë dhe të gjithë legjislacionin antikorrupsion?

Video