Zjarri në Shkozet lë pa drita Durrësin, MIE: Po punohet për rikthimin e energjisë

30 July 2026, 21:22Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zjarri në Shkozet lë pa drita Durrësin, MIE: Po punohet për
Pamje nga vendngjarja

Një zjarr i rënë në një magazinë në zonën e Shkozetit ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në Durrës, duke lënë pa furnizim një pjesë të qytetit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njoftoi se incidenti ndodhi rreth orës 15:40, kur si pasojë e flakëve u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit.

Sipas ministrit, situata vijon të jetë e vështirë, pasi zjarrfikësit janë ende duke punuar për shuarjen e plotë të zjarrit. Për arsye sigurie dhe me kërkesë të tyre, njëra prej linjave 110 kV mbahet ende jashtë funksionit.

Brigadat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) ndodhen në terren dhe do të nisin menjëherë riparimin e dëmeve në linjë sapo të shuhet plotësisht zjarri dhe të krijohen kushtet për një ndërhyrje të sigurt.

Ndërkohë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka kaluar një pjesë të furnizimit në linja alternative, duke bërë të mundur rikthimin e energjisë në disa zona të Durrësit. Megjithatë, ministri theksoi se kjo zgjidhje është e përkohshme, pasi rrjeti mbetet i ngarkuar dhe furnizimi përmes unazimeve nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u bëri thirrje qytetarëve për mirëkuptim, ndërsa siguroi se ekipet e OST dhe OSSH janë në gatishmëri të plotë për të rikthyer sa më shpejt furnizimin normal me energji elektrike në të gjitha zonat e prekura.


Video