Zjarret në Finiq dhe Dropull ‘dorëzohet’ Shqipëria, Greqia nis dy avionë për shuarjen e flakëve nga ajri!

10 Korrik 2024, 10:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Canadair CL-415 të Forcave Zjarrfikëse të Greqisë

Dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair CL-415 të Forcave Zjarrfikëse Greqisë po asistojnë në operacionin për shuarjen e zjarrit të madh në Shqipëri.

Avionët, që do kenë bazën e tyre në aeroportin e Korfuzit, ndodhen tashmë në ishullin grek nga ku u ngritën mëngjesin e sotëm.

Dërgimi i avionëve u paralajmërua nga autoritetet më pare, ndërkohë që është konfirmuar dhe nga ministri i mbrojtjes Niko Peleshi, i cili shkruan në një postim:

Dy avionë të tipit Canadair sapo nisën ndërhyrjen nga ajri për fikjen e flakëve në Dropull dhe Finiq.

Avionët grekë, vijnë si mbështetje për Shqipërinë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe i bashkohen përpjekjeve të Forcave tona të Armatosura, zjarrëfikësve, punonjësve të emergjencave civile dhe strukturave vendore që prej 2 ditësh po luftojnë me flakët atje.

Mirënjohje për gatishmërinë e treguar për të sjellë mjete ajrore edhe qeverisë italiane dhe asaj kroate.

Mediat greke i kanë dhënë një hapësirë të madhe në portalet e tyre, zjarrit që prej dy ditësh ka shpërthyer në zonën e Dropullit që vijon të djegë sipas tyre në mënyrë të pakontrolluar zonat pyjore dhe kërcënon edhe zonat e banuara.

Prej disa ditësh, Bashkia e Dropullit dhe e Finiqit po përballen me zjarre masive, të cilat janë përhapur me shpejtësi.

Video