Zgjedhjet e 11 majit, Fatmir Xhafaj: Nuk i takon gjithë pesha SPAK! Përgjegjësinë kryesore e kanë prokuroritë e rretheve

19 Prill 2025, 18:23Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fatmir Xhafaj

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ishte sot në News 24 ku foli për fushatën elektorale dhe zgjedhjet e 11 majit.

Xhafaj theksoi në “Kjo javë” se peshën kryesore në parandalimin e krimit zgjedhor nuk e ka SPAK, por prokuroritë e rretheve.

Më tej Xhafaj shprehet se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për peshën që ka vota e tyre.

“Duhet ta shohim çështjen më gjerë. Zgjedhjet e lira janë gur themeli për një shtet demokratik. Janë bërë hapa shumë të mirë përpara. Ka ndryshuar qasja. Nuk jemi ende në standardet më të mira të mundshme. E rëndësishme që qytetarët të ndërgjegjësohen për votën e tyre. Gjithçka fillon nga pesha që ka votuesi, qasja e votuesit me rëndësinë që ka vota e tij. Poseduesi i të drejtës për të votuar është qytetari. Faktori i dytë janë partitë politike, roli që luajnë. Faktori i tretë janë individët. Faktori i katërt janë institucionet, i gjithë sistemi i administrimit të procesit zgjedhor, por edhe institucionet e sistemit të drejtësisë. Nuk i takon gjithë pesha SPAK. Qasje e gabuar.

Mund të kenë pjesën më negative, kur veprimi kriminalizohet. Por deri aty është një fashë e gjerë që duhet trajtuar. Përgjegjësia kryesore u shkon prokurorive të rretheve gjyqësore. SPAK ka vetëm dy vepra penale për sistemin zgjedhor. Çështja më delikate është përfshirja e elementit kriminal. Unë nuk shoh një gjë të tillë në zonën, por mund të ketë zona të caktuara ku këto elementë janë të pranishëm. Mund të bëjmë dhe të kundërtën, prodhon efekt të kundërt nëse merren me çështje të dorës së dytë. Deri tani nuk kam parë ndonjë denoncim serioz”, tha Xhafaj.

 

Video