“Në 2026 nisim projektin e gazifikimit të Korçës”, Rama zbulon porosinë e Presidentit të Azerbajxhanit

19 Prill 2025, 15:47Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama

“Nur” do të quhet projekti, i cili pritet të nisë në vitin 2026 dhe do të çojë në gazifikimin e qytetit të Korçës, një proces i cili do të jetësohet nga kompania azerbajxhanase ‘SOCAR’.

Kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku e prezantuan këtë projekt gjatë turit të takimeve elektorale që PS po zhvillon sot në qarkun juglindor.

Shefi i qeverisë premtoi se brenda pak vitesh Korça do të ngrohet me gaz, me kosto shumë të ulët, e po ashtu nënvizoi se projekti do të shtrihet në qytete të tjera të Shqipërisë.

“Ne duhet të bëhemi vend sovran nga pikëpamja e energjisë. Ky projekt do të shtrihet edhe në qytetet e tjera. Është e vërtetë një shenjë kuptimplotë e një miqësie të posaçme NUR, pasi kjo kompani ka kaq shumë projekte dhe kërkohet kudo. Gjetja e kohës dhe mundësia për të ardhur deri në Korçë me drejtuesin e kompanisë, që na bëri një shpjegim shterues dhe gjithashtu të tjerët, është një gjest kuptimplotë i një miqësie dhe partneriteti strategjik me një vend shumë mik. Nga ana tjetër dua të jap një detaj shumë të rëndësishëm për mua, ky emërtim i bukur “Nur” është zgjedhur posaçërisht nga presidenti i Azerbajxhanit, dhe është ai që kujdeset posaçërisht për këtë projekt”, tha Rama.

Më tej kryeministri zbuloi se Presidenti Ilham Aliyev për projektin e gazifikimit të Korçës nuk ka kërkuar asgjë në këmbim, por e ka propozuar si një dhuratë për një vend mik si Shqipëria.

“Kam qenë dëshmitar kur i ka thënë ministrit për projektin në Shqipëri: Nuk duam fitime, e rëndësishme është të mos humbasim dhe të fitojmë qytetarët e atij vendi mik”, zbuloi Rama.

Ndërsa ministrja Balluku tregoi pse Korça u zgjodh si vendnisja e projektit. Sipas saj arsyet kryesore janë niveli i lartë i disiplinës së konsumatorëve, rëndësia e qytetit si një qendër turistike dhe zhvillimi i bujqësisë në rajon.

“Korça është një konsumator model që ka treguar sukses në çdo projekt pilot, ka paguar faturat rregullisht dhe është treguar bashkëpunues. Po ashtu, është ndër zonat me bujqësinë më të zhvilluar dhe me vëllim të lartë prodhimi,” u shpreh ajo.

Balluku foli edhe përfitimet që ky projekt do të sjellë për qytetarët dhe ekonominë lokale nga përdorimi i energjisë më të pastër dhe efikase, mbrojtja e mjedisit, ulje e konsiderueshme e kostove për familjarët dhe bizneset dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe urban.

Video