
Eduard Lami është arrestuar për vrasjen e 48-vjeçarit Lulzim Visha në Zall Mner mëngjesin e 24 janarit.
Policia bastisi shtëpinë e kushëririt të tij Ervis Lami, ku është gjetur arma tip pistoletë me silenciator.
Ervis Lami nuk ka qenë në shtëpi në momentin e kontrolleve, por dera është hapur nga një familjar i tij.
Përpara disa kohësh, mes viktimës dhe disa prej anëtarëve të familjes Lami ka pasur një sherr, i cili dyshohet të ketë qenë për pronat. Aktualisht, kjo është pista kryesore e hetimeve të policisë.
Blutë kanë mundur të arrestojnë Eduart Lamin, djalin e xhaxhait të Ervis Lamit, për armën pa leje të gjetur në banesë.
Sipas burimeve, Lami ka dy shtëpi, njëra prej të cilave ishte shtëpi druri, brenda të cilës efektivët kanë parë vrima në mure të shkaktuara me armë zjarri. Dyshohet se këto vrima mund të jenë bërë për të provuar armë të ndryshme.
48-vjeçari Lulzim Visha, postier në një kompani private, u vra me silenciator në Kamëz sapo doli nga banesa dhe hipi në makinën e punës.
Policia gjeti të djegur automjetin e autorëve, një Porsche të zi me targa të vjedhura në Kamëz në 2023, bashkë me armën e shkrumbuar.
Njoftimi i Policisë
Kontrolle intensive dhe punë profesionale hetimore për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit, mëngjesin e djeshëm në Kamëz.
Në kuadër të kontrolleve bazuar në inteligjencën policore, Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Silenciatori”, goditën një rast të armëmbajtjes pa leje.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. L, në rrugën Paqësore, Zall Mner, Kamëz, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja armë .
Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 37 vjeç, banues në Kamëz., për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.
Po në kuadër të operacionit si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E. L., 31 vjeç.
Nga tërësia e veprimeve paraprake hetimore, administrimit të provave dhe fakteve, rezulton se banesa ku janë gjetur sendet e kundraligjshme është në posedim të shtetasit E.L dhe përdoret nga të dy shtetasi E.L 37 dhe E.L 31 vjec.
Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.