
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili ringriti nga gërmadhat Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare.
Më 16 korrik 1991 Shkëlqesia e tij mbërriti për herë të parë në Shqipëri për të ringjallur besimin ortodoks pas 24 viteve errësirë ateiste, pasi regjimi komunist ndali praktikimin e fesë me ligj në vitet 1967-1991.
Në "Rinas", u prit ngrohtësisht nga një grup besimtarësh ortodoksë, por edhe dashamirës e klerikë të besimeve të tjera. Nga ajo ditë Hirësia e tij vijoi veprimtarinë plot sfida e të panjohura. Për Shkëlqesinë e tij ardhja në Shqipëri ishte pjesa e tretë e tri periudhave të jetës
Në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptar, Anastas Janullatos u fronëzua më 2 gusht 1992, dhe ishte 63 vjeç duke i rezistuar si protestave të ndonjë grupi politiko-mysliman, ashtu dhe referendumit të vitit 1994 ku qeveria e atëhershme futi në projektligj një nen që i ndalonte udhëheqësit fetarë me nënshtetësi të huaj të ushtronin detyra fetare. Me 6 nëntor Referendumi u rrëzua me votë popullore.
Në vitin 2000, pas propozimit të Akademisë Athinës dhe shumë personalitete të Shqipërisë, ishte kandidat për Çmimin Nobel të Paqes.
Jeta e hershme
Anastas Janullatos lindi në 4 nëntor të vitit 1929 në Pire, Greqi. Ai u rrit me besim dhe gjatë viteve të formimit merrte pjesë në mënyrë aktive në Kishë. Në fillim atij i pëlqente matematika dhe gjatë viteve të adoleshencës ai dëshironte të vazhdonte studimet në këtë shkencë.
Idetë e tij ndryshuan me fillimin e Luftës së Dytë Botërore ku Janullatos braktisi dëshirat e tij për fushat e tjera të studimit dhe vendosi të ndiqte teologjinë.
Kaq drithëruese ishte kjo dëshirë sa që ai thonte: “Për mua nuk mjaftonte t'i jepja diçka Perëndisë, duhej t'i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qenia ime të jetonte në Krishtin.“
Studimet
Më 1947 përfundoi shkëlqyeshëm shkollën e mesme dhe në vitin 1947, filloi Fakultetin Teologjik në Universitetin e Athinës, ku u diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1951.
Më 1953 diplomohet shkëlqyeshëm në Universitetin Kombëtar të Athinës. Në vitet 1965 - 1969 kreu studimet pasuniversitare në Historinë e Feve, Etnologji, Misiologji dhe Afrikanologji në Universitetet e Hamburgut dhe Marburgut. U mor me kërkime në Universitetin e Makereres, në Kampala - Uganda, me bursë të Fondacionit gjerman “Alexander von Humboldt”.
Ishte Doktor Nderi i Fakultetit Teologjik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës. Studioi fe të ndryshme (Induizëm, Budizëm, Taoizëm, Konfucianizëm, Fe afrikane, Islam). Ka qenë profesor i Historisë së Feve (1972-92) dhe Dekan i Fakultetit Teologjik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës (1983-1986) B.D dhe Th.D (me nderimet më të larta) dhe sot është Profesor Emeritus i po të njëjtit Universitet. Ai është shpallur Doktor Nderi i Teologjisë apo Doktor Nderi i Filozofisë, Th.D.h.c, DD hc PhD h.c nga 19 universitete, fakultete ose degë universitare (në Greqi, SHBA, Qipro, Rumani, Gjeorgji, Shqipëri, Itali), Anëtar Korrespondent (1993-2005) dhe Anëtar Nderi (nga viti 2006) i Akademisë së Athinës.
Studimet Pasuniversitare
Histori e Feve, Etnologji, në Universitetet e Hamburgut dhe të Marburgut në Gjermani, (me bursë pasuniversitare të Institutit “Alexander von Humboldt Stiftung”). Ai studioi gjithashtu edhe fetë e botës, duke kryer udhëtime në vendet ku ato lulëzuan.
Përveç greqishtes së re dhe të vjetër zotëronte gjuhët e huaja anglisht, frëngjisht, gjermanisht; lexonte në: latinisht, italisht, spanjisht, rusisht, shqip.
Shërbimi në Kishë
Luajti rol parësor në ringjalljen bashkëkohore të Hierapostullimit Orthodhoks në botë (nga viti 1958). U hirotonis dhjak (1960); prift – arkimandrit (1964), Episkop i Andrusës (1972) me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të “Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë” (1972-91); Kryepiskop mëkëmbës (Kryepiskop në detyrë) i Mitropolisë së Shenjtë të Irinupolit në Afrikën Lindore (1981-1990); Mitropolit i Andrusës dhe Ekzark Patriarkal në Shqipëri (1991-1992). Kryepiskop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë (qershor 1992 - 2025).
Veprimtaria sociale
Ka qenë anëtar: i Këshillit të Shkollës së Lartë të Punonjësve Socialë (1977-84); i Komitetit të Lartë Zyrtar për Kishën e Greqisë (1977-85); i Komitetit të Edukimit Kishtar të Ministrisë së Edukimit Kombëtar dhe Feve (1977-1982); i Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Qipros (1985-91), i Komisionit të Bursave të Fondacionit “Aleksandër Onasis” (1978-94); i Fondacionit “Aleksandër Onasis” (1994-2005). Anëtar i Shoqërisë Filekpedheftiki (1994 e në vazhdim).
Veprimtaria ndërkishtare ndërkombëtare:
Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv për Misionarizmin Jashtë Vendit (1958-61) dhe Zëvendëspresident i Organizatës Ndërkombëtare të Rinisë Orthodhokse “Syndesmos” (1964-1977); Themelues dhe President i Qendrës Ndërorthodhokse Misionare “Porefthendes” (nga viti 1963).
Ai ka qenë anëtar i Komitetit Ndërkombëtar për Misionarizmin të Këshillit Botëror të Kishave (1963-1969), Sekretar për Kërkimin Misionar dhe Marrëdhëniet me Kishat Orthodhokse në KBK (Gjenevë 1969-1971).
Ka organizuar dhe drejtuar Qendrën për Studimet Misionare në Universitetin e Athinës (1971-1974) dhe Qendrën Ndër-Orthodhokse në Athinë të Kishës Orthodhokse të Greqisë (1971-1974). Si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, ai promovoi programe teologjike, edukuese dhe botuese; në veçanti, zhvilloi sektorin e misioneve jashtë vendit. Në Afrikën Lindore (Kenia, Uganda, Tanzani), organizoi dhe zhvilloi misionet orthodhokse. Ai është vlerësuar si “Bamirës i Madh i Patriarkanës së Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës”.
Kryepeshkopi mëkëmbës në Afrikë
Kryepeshkopi Anastas ka luajtur një rol udhëheqës në ripërtëritjen bashkëkohore të Apostullimit nëpër botë të Kishës Ortodokse. Për një dhjetëvjeçar 1981-91, ka punuar si lokum tenens (Krypeshkop mëkëmbës) i Krypeshkopatës së Shenjtë të Irinupolit- Afrika Perëndimore (Kenia, Uganda, Tanzani). Ai themeloi dhe organizoi Shkollën Patriarkale “Krypeshkopi i Qipros Makarios”, që e drejtoi për dhjetë vjet; dorëzoi 62 klerikë afrikanë dhe konsakroi 42 anagnostë-katekistë, me origjinë nga tetë fise afrikane. Në të njëjtën periudhë promovoi përkthimin e Liturgjisë Hyjnore në katër gjuhë afrikane. U përkujdes për themelimin e rreth 150 famullive ortodokse dhe për ndërtimin e dhjetëra kishave, për ndërtimin e shtatë stacioneve misionare dhe punoi për hapjen e shkollave dhe qendrave mjekësore.
Kryepeshkopi i Shqipërisë
Më 1991, caktohet nga Patriarku Ekumenik Eksark Patriarkal në Shqipëri. Në qershor 1992, Anastas Janullatos u zgjodh Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.
Si Kryepeshkop i Shqipërisë (1992 deri më 25 janar 2025), në rrethana jashtëzakonisht të vështira, ringriti nga gërmadhat dhe zhvilloi më tej Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që mbi 2 dekada ishte e shpërbërë.
U riorganizuan më tepër se 400 famulli; u themelua Akademia Theologjikë “Ngjallja e Krishtit” në Durrës (1992) dhe dy Lice kishtarë; shkolloi dhe dorëzoi 159 klerikë.
Ai themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme. U kujdes për përkthimin dhe botimin e librave liturgjikë dhe të librave të tjerë fetarë. U ndërtuan 155 kisha të reja, u restauruan 63 të tjera dhe u riparuan më tepër se 160 kisha ekzistuese, si dhe 75 qendra kishtare (Ndërtesat e Krypeshkopatës dhe të mitropolive, shkolla, qendra mjekësore, shtëpi pritjeje, kampe rinore etj). Vepra totale ndërtuese arrin në afro 500 ndërtesa.
Bashkë me veprën e rivitalizimit të Kishës Orthodhokse, u realizuan edhe programe inovative në sektorët e shëndetit, kujdesit social, edukimit, zhvillimit rural, kulturës dhe ekologjisë. Njëkohësisht, ai u përpoq për të ndihmuar në zbutjen e shumë tensioneve në Ballkan.
Në 2010 u vlerësua me medaljen "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu" të Republikës së Shqipërisë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bamir Topi
Ndërsa në vigjiljen e Krishlindjeve të 25 dhjetorit 2017, Një çerek shekulli pasi kishte ardhur në vendin tonë kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare Anastas Janullatos mori nënshtetësinë shqiptare. Dekreti u firmos nga presidenti i atëhershëm Ilir Meta.
Veprimtaria ndërkishtare
U zgjodh vazhdimisht në pozicione të shquara në udhëheqjen e organizmave ndërkombëtarë: Moderator i Komitetit për Misionin dhe Ungjillëzimin Botëror (1984-1991) dhe i Konferencës së Misionarizmit dhe Ungjillëzimit Botëror në San Antonio Teksas (1989); anëtar i Këshillit Evropian të Udhëheqësve Fetarë (2003-2010); Zëvendëspresident i Konferencës së Kishave Evropiane (2003-2009); President i Këshillit Botëror të Kishave (2006-2013); President Nderi i Konferencës Botërore të Feve për Paqen (2006 e në vazhdim).
Vepra
Autor i 24 librave (kërkime për Fetë Afrikane, ese në Theologji dhe në Historinë e Misioneve, predikime etj.), ku përfshihen: Islami, një vështrim i përgjithshëm (16 botime), Historia e Feve- Gjurmë nga kërkimi i Transhendentes, Globalizmi dhe Orthodhoksia, Hierapostullim në gjurmët e Krishtit, Deri në skajet e dheut, Bashkekzistenca, Në Shqipëri – Kryq dhe Ngjallje. Ka botuar mbi 200 ese dhe artikuj me tema teologjike e baritore. Studimet dhe artikujt e tij janë përkthyer në 17 gjuhë të huaja.
Nderime
U nderua me 27 medalje dhe çmime nga shumë Kisha Orthodhokse dhe vende të ndryshme, si: “Kryqi i Madh i Urdhrit të Nderit i Republikës së Greqisë” (1997); çmimi “Athenagora për të Drejtat e Njeriut” (Nju Jork, 2011); çmimi për “Kontributin e shquar për unitetin e popujve orthodhoksë” (Moskë, 2005); dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Tiranë, 2010).
Kryepiskopi Anastas ishte njohës i thellë në fushën e Historisë së Feve dhe të dialogut ndërfetar. Kontributi i tij i rëndësishëm në Hierapostullimin e Krishterë, në Teologji dhe në bashkëjetesën paqësore të popujve dhe të komuniteteve fetare është i njohur botërisht.