12-vjeçari shqiptar, i cili gjeti nënën, njerkun dhe 2 vëllezërit e tij përtokë mes gjakut në shtëpi, në Andraviada të Greqisë ditën e djeshme, është në gjendje të rëndë psikologjike, shkruajnë mediet helene. Për këtë arsye marrja në pyetje e 12-vjeçartit do të shtyhet, pasi fëmija nuk është në gjendje të mirë.
Ndërkohë zhvillimet për autorin e vrasjes së katërfishtë janë të njëpasnjëshme, me policinë greke që njoftoi se autori kryesor i krimit, ish-bashkëshorti i nënës 28-vjeçare nuk është më i dyshuar, pasi efektivët provuan se ish-bashkëshorti i shqiptares dhe babi i fëmijës 12-vjeçar ndodhej në punë momentin e krimit tragjik.
Protothema shkruan se autori ende i pazbuluar ka pasur qëllim zhdukjen e trupave, por nuk ka arritur të përfundojë planin e tij pasi duket se diçka e ka trembur dhe ka ikur, ndoshta hyrja në banesë e 12-vjeçarit.
Kjo u zbulua pasi trupat e prindërve janë gjetur në depon e shtëpisë, ndërsa fëmija 3-vjeçar është gjetur në dysheme, pranë tyre. Fëmija tjetër 2 vjeç është gjetur i pajetë nga vëllai, i cili e ka tërhequr deri në rrugë ku ka bërtitur e të madhe për të kërkuar ndihmë.
Në brendësi të shtëpisë janë gjetur edhe njolla gjaku të shpërndara, ndërsa plagët e shkaktuara në trupat e burrit dhe gruas janë të shkaktuara me armë zjarri.