Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë duke dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan Çapjan, Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun, nën akuzën e vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit në 15 gusht të vitit 2012.
Ndërsa Etjen Cani dhe Klajdi Dokoli u dënuan me nga nga 25 vite burg. Ndërkohë që bashkëpunëtori i drejtësisë, Ervis Bardhi u dënua me 15 vite burg.
Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit?
Babë e bir u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve.
Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri.
Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”.
Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.