Dy grupe shqiptarësh janë përfshirë në një sherr të dhunshëm në aeroportin e Peruxhias në Itali.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e të së shtunës, ndërsa sot mediat italiane kanë publikuar edhe pamjet e rënda.
Dy grupe pasagjerësh shqiptarë u ndeshën me shqelma dhe grushte, përballë policëve të cilët me vështirësi arritën të rivendosin qetësinë dhe të shmangin më të keqen. Bilanci është dy të plagosur, njëri prej të cilëve u detyrua të kërkonte trajtim spitalor, ndërkohë u arrestuan edhe 8 persona, raportojnë mediat italiane.
Ka qenë ora 3 e pasdites, kur disa shtetas me origjinë shqiptare, të cilët shoqëronin bashkatdhetarët për të marrë fluturimin drejt Tiranës, janë takuar me një grup tjetër bashkatdhetarësh që ishin në radhë për check-in.
Për arsye ende të paqarta, mes dy grupeve u ngrit një diskutim i zjarrtë i cili degjeneroi në një përleshje të dhunshme.